Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar në Shkodër kandidatët për deputetë në zgjedhjet ne 11 majit. Në fjalën e tij, kryedemokrati deklaroi se kandidatët e tij nuk vijnë nga bodrumet e Dobraçit, por janë kandidatët e fitores.
Nga Shkodra kryeqendra e veriut, Sali Berisha nisi turin e prezantimit të kandidatëve për deputetë që kërkon fitoren në 11 maj.
Zgjedhja e Shkodrës nuk ishte rastësi.
“Shkodra ka qenë dhe mbetet në histori qyteti i pikënisjes së epokave për kombin shqiptar. Këtu në Shkodër nisi epoka e demokracisë dhe shembja e diktaturës komuniste ndaj dhe unë zgjodha Shkodrën për të nisur betejën për shembjen e diktaturës së dytë.”
Në një sallë të mbushur plot e përplot me demokratë, lideri i opozitës e krahasoi qeverisjen e Shkodrës nga socialistët si pushtim, ndaj premtoi çlirim në 11 maj. Një mesazh pati për kreun e bashkisë Shkodër, nenet becin, dikur pjesë të familjes së tij politike.
“Por do i them këtu dy fjalë këtij Benet Brajoviçit: Benet, e more me autoblindat e Brajoviçëve mandatin e Bardh Spahiut, por ja ku është sot, ballëlartë, krenar dhe me një dallim. Qytetarë dhe qytetare të Shkodrës, dallimi i tij është ky: Benet, Bardh Spahia u qëndroi besnikë qytetarëve të Shkodrës, i qëndroi besnik sojit të tij, të atit të tij, kurse ti Benet turpërove të parë dhe të mbrapmë dhe të garantosh që nuk do gëzosh atë mandat.”
Qeverisjen e Shkodrës nga socialistët e quan sundim barbar, ndaj premton se me programin e Partisë Demokratike pas 11 majit dhe kryeqendra e veriut do të jetë madhështore.
“Por ky sundim barbar së shpejti merr fund. PD dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore zotohen para jush në mënyrë solemne, se për 55 ditë, këtij makthi të gjatë i vjen fundi.”
Kandidatët e qarkut Shkodër, i quajti kandidat të fitores dhe pohoi se alternativa që u jep shkodranëve është më e mira. “Këta janë kandidatët që nuk vijnë nga bodrumet e Dobraçit.” (A2 Televizion)