SPAK i sekuestron, qeveria i “gjen vendin” koncesioneve të inceneratorëve

Nga Ervin Koçi
18 Prill 2025, 14:11 | Politikë

Në një kohë që autorët e korrupsionit me skemën fiktive të incenetarorëve po marrin dënimet një e nga një, qeveria duket se ka gjetur një zgjidhje se çfarë të bëj me kontratat koncesionare.

Nëpërmjet një VKM-je të miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, ekzekutivi ka deleguar trajtimin e kontratave ekzistuese tek Agjencia Kombëtare e Ekonomisë sw Mbetjeve, organ të cilin e krijoi vetë një vit më parë, shkruan A2 CNN.

“Agjencia shqyrton, autorizon e miraton, për ministrinë përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve, në cilësinë e autoritetit kontraktor, procese që kanë të bëjnë me projektet/kontratat ekzistuese dhe të ardhshme të infrastrukturës së mbetjeve të lidhura sipas legjislacionit në fuqi për koncesionet e partneritetin publik dhe të atij të prokurimit publik”.

VKM-ja lë një derë të hapur që në të ardhmen të mund të ngrihen kontrata të tjera konceisonare në fushën e mbetjeve, ndërkohë që ato ekzistueset vijojnë të akuzohen si fiktive pasi nuk bëjnë trajtimin e tyre.

Për skemën korruptive të inceneratorëve janë dënuar disa ish-zyrtarë të lartë, si ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako, ndërsa pronarët e tyre vijojnë të jenë në arrati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos