Politologu Adri Nurellari deklaroi se shteti shqiptar ka njollosur imazhin e tij kur gjatë vitit që kemi pasur presidencën e Komitetit të Inteligjencës Civile të NATO-s, atë e ka drejtuar Vlora Hyseni.
“Ne kemi fatin e mirë që jemi në zemër të Evropës, jemi ishull brenda Bashkimit Europian. Në ballafaqimin qoftë me shtetin e kapur që ka një trashëgimi shumë të madhe, qoftë me krimin e organizuar, ne nuk jemi vetëm. Madje, problemi që kemi ne me krimin e organizuar është problem i sigurisë kombëtare edhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe i vendeve të tjera partnere. Thjesht për të kuptuar se sa e rëndë është situata, mjafton të kujtoj që vitin e kaluar Shqipëria ka pasur presidencën e Komitetit të Inteligjencës Civile, që është institucioni i inteligjencës pranë Aleancës së 32 vendeve anëtare të NATO-s dhe është presidencë rotacionale”, tha Nurellari në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Vitin e kaluar e ka drejtuar Vlora Hyseni, me akses të privilegjuar që e bën target edhe të fuqive të mëdha si Rusia dhe Kina për të siguruar informacion, sepse nëpërmjet këtij Komiteti konsultohet, jepet informacion kundër dizinformimit, kundër luftës hibride, kundër terrorizmit te Këshilli i NATO-s. Dhe një vit e ka drejtuar Shqipëria sepse është me rotacion. Në atë vit ka qenë në krye Vlora Hyseni. Imagjinoni tani çfarë njolle është kjo për imazhin e shtetit tonë, seriozitetin e shtetit tonë”, shtoi politologu. (A2 Televizion)