Fatmir Xhafaj mbështeti idenë për kufizimin e mandateve të një deputeti, që erdhi si propozim nga ekspertët e komisionit për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionit.
“Në kushtet që ne nuk jemi në mazhoritar, një pjesë të mirë tonën, ku një pjesë e zgjedh partia, për shembull për kryebashkiakun, unë nuk jam dakort të ketë një kufizim se ata i zgjedh populli, a mos ka nevojë që të kemi një kufizim mandatesh për deputetë, nuk mund të rrish përjetësisht deputet dhe për të krijuar një lloj kulture që karriget nuk janë të përjetshme”, tha Xhafaj.
Një tjetër propozim i ekspertëve ishte që nominimet për instancat e pavarura të mos bëhen vetëm nga palët politike. Si shembull u mor rasti i Avokatit të Popullit, që gjithashtu gjeti dakordësinë e drejtuesit të komisionit.
“Sot Avokati i Popullit propozohet nga opozita nuk ka rëndësi opozita është një proces paragjykues, a mundet që të kemi disa alternativa që nuk janë konsensus politik, por gjykim i disa aktorëve, të jetë një mekanizëm, një trup që është formësuar nga përfaqësues të qeverisjes vendore, shoqërisë civile pra një kuorum kombëtar. Kandidatët aty të garojnë, aty të zgjidhen dhe pastaj parlamenti vetëm të votojë mes këtyre kandidaturave”, shtoi Xhafaj.
Fatmir Xhafaj heshti kur ekspertët propozuan ndryshime në rregulloren e Kuvendit, sa i përket zbatueshmërisë së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, teksa së fundmi mazhoranca ka injoruar dy vendime për mandatin e socialistes Olta Xhaçka.
Për skeptikët, kryetari i komisionit kishte një mesazh.
Afati i punës së komisionit mbyllet në fund të marsit, por me kërkesë të sekretariatit teknik, do të kërkohet shtyrja deri në fund të muajit korrik. (A2 Televizion)