Eksperti i sigurisë, Faik Basha, tregoi arsyet pse nuk i bashkohet protestës qytetare që ka hyrë në ditën e 11.
“Unë kam shkuar në protesta pafund, por nuk kam qenë te kjo protestë për disa arsye. E para, nuk është se nuk jam dakord me një pjesë të kërkesave që qytetarët kanë ngritur. Ankesat e tyre patjetër që duhet dëgjohen dhe duhet të gjejnë zgjidhje nëse nuk kanë gjetur zgjidhje ende apo nëse ekzistojnë, sepse janë me dhjetra kërkesa të cilat duhet parë se si mund të menaxhohen dhe si mund të gjejnë zgjidhjen e duhur. E dyta, të rreshtova disa faktorë të cilët unë jam dyshues mbi qëllimin. Pjesa që krijoi shpërthimin mua nuk më konvenon. Interesimi i fortë i mediave greke, i mediave të ndryshme, i futjes së interesave iraniane, të bombardimit me lajme të rreme, të vërteta, gjysmë të vërteta e shumë e shumë gjëra të cilat kanë qenë të paqarta. Dakord, qytetarët janë të pakënaqur, dalin në protestë dhe thonë të ikë elita politike e 35 viteve. Po e marr të mirëqenë, por ky është një vend i cili do drejtuar se vendi nuk drejtohet nga populli në turmë”, tha Basha në studion e “Off the Record”, nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Po flasim për një shtet, jo për një magazinë. T’i thuash të gjithëve jep dorëheqjen, kush do i zëvendësojë këta njerëz? Kjo nuk është për të qeshur apo për të bërë gallatë. Tani, ose duhet të dalë se kush po e organizon se populli nuk drejtohet në turmë”, shtoi Basha.
Nurellari u përgjigj: "Kështu thonin edhe atëherë: "Po të vdesi shoku Enver, ku do vejë Shqipëria?". Ti po thua sikur do ngelet një vakuum i madh, se këta "mjeshtrat" e kanë ndritur Shqipërinë e po ikën këta, zhduket Shqipëria. Po i kërkohet kryeministrit të ikë, nuk është i pazëvendësueshëm kryeministri. Dramë e madhe po iku Berisha. Tragjedi! Kur ra komunizmi, nuk e njihnim ne as Berishën e as Ramën". (A2 Televizion)