Paketa e Maleve, deputeti i PD, Çelaj: Rrezik për paqen sociale në Tropojë, Has e Kukës

Nga A2 CNN
3 Shtator 2025, 09:04 | Politikë

Paketa e Maleve, deputeti i PD, Çelaj: Rrezik për paqen sociale

Deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj, thotë se Paketa e Maleve e miratuar nga Qeveria rrezikon paqen sociale në Qarkun e Kukësit. “Mënyra me të cilën përfaqësuesit e rilindjes përgatiten dhe e kaluan në seancë këtë ligj me shpejtësi dhe po thuajse në errësirë totale tregon qartë synimin djallëzor që mbart në vetvete kjo e ashtuquajtura “Paketa e Maleve”. Nga një premtim zhvillimi, në një plagë të re e burim konfliktesh mbi pronësinë kolektive të bjeshkëve, pyjeve e kullotave alpine për banorët e Tropojës, Hasit e Kukësi”, shkruan Çelaj në një reagim në llogarinë e tij në Facebook.

Ai u kërkon këshilltarëve bashkiakë të Tropojës, Hasit dhe Kukësit, që të reagojnë. “Qeveria ka nxjerrë në tryezë Paketën e Maleve, e cila premton lehtësira fiskale, tokë publike deri edhe me “1 euro” dhe procedura ku regjistrimi i pronës vjen pas investimit. Por nëse ky ligj kalon i zbatuar siç është, ju do të mbani mbi supe jo zhvillimin, por konfliktet dhe përplasjet që do të pasojnë. Trashëgimia e bjeshkëve nuk është mall për plaçkë tregu. Në Tropojë, Has e Kukës, kullotat, bjeshkët dhe pyjet janë pronë e përbashkët e fiseve dhe fshatrave. Ato kanë qenë të tilla ndër shekuj, janë ruajtur me sakrifica, e shpesh edhe me gjak. Biles edhe në periudhën e regjimit monist ku u kolektivizua e shtetëzua çdo gjë bjeshkët e kullotat në organizimin e Kooperativave e Ndërmarrjeve Bujqësore në përgjithësi u lanë në që edhe shfrytëzimi i tyre të bëhej sipas fshatrave”, shkruan Çelaj.

Paketa e Maleve, deputeti i PD, Çelaj: Rrezik për paqen sociale

Reagimi i plotë

Paketa e Maleve: Rrezik për bjeshkët e kullotat dhe për paqen sociale në Tropojë, Has e Kukës.

Mënyra me të cilën përfaqësuesit e rilindjes përgatiten dhe e kaluan në seancë këtë ligj  me shpejtësi dhe po thuajse në errësirë totale tregon qartë synimin djallëzor që mbart në vetvete kjo e ashtuquajtura “Paketa e Maleve.” Nga një premtim zhvillimi, në një plagë të re e burim konfliktesh mbi pronësinë kolektive të bjeshkëve, pyjeve e kullotave alpine për banorët e Tropojës, Hasit e Kukësi.

Këshilltarë bashkiakë të Tropojës, Hasit dhe Kukësit, është momenti juaj i përgjegjësisë historike. Qeveria ka nxjerrë në tryezë Paketën e Maleve, e cila premton lehtësira fiskale, tokë publike deri edhe me “1 euro”, dhe procedura ku regjistrimi i pronës vjen pas investimit. Por nëse ky ligj kalon i zbatuar siç është, ju do të mbani mbi supe jo zhvillimin, por konfliktet dhe përplasjet që do të pasojnë.

Trashëgimia e bjeshkëve nuk është mall për plaçkë tregu.

Në Tropojë, Has e Kukës, kullotat, bjeshkët dhe pyjet janë pronë e përbashkët e fiseve dhe fshatrave. Ato kanë qenë të tilla ndër shekuj, janë ruajtur me sakrifica, e shpesh edhe me gjak. Biles edhe në periudhën e regjimit monist ku u kolektivizua e shtetëzua çdo gjë bjeshkët e kullotat në organizimin e Kooperativave e Ndërmarrjeve Bujqësore në përgjithësi u lanë në që edhe shfrytëzimi i tyre të bëhej sipas fshatrave.

 Për 35 vite, pas rënies së komunizmit, këto pasuri nuk iu janë regjistruar ende komuniteteve që i zotërojnë historikisht ato, gjë të cilën e kam ngritur disa herë në seancat parlamentare si për regjistrimin e kashnjeteve të gështenjave kësaj pasurie me vlera po ashtu edhe të banesave të ndërtuara me shekuj, por ende vazhdojnë të jenë të pa regjistruara në zyrat e Agjencisë së Kadastrës Shtetërore!

Dhe sot, përmes një pakete të re, rrezikojnë të tjetërsohen për interesa investitorësh fantazmë apo të lidhur nëpërmjet interesave okulte me qeverinë e rilindjes.

Çfarë thonë ligjet ekzistuese?

   •   Ligji nr. 55/2016 për Pyjet dhe Ligji nr. 26/2018 për Fondin Kullosor parashikojnë se pyjet dhe kullotat shtetërore administrohen nga bashkitë, por me detyrim të përfshijnë komunitetet lokale në përdorim e menaxhim.

   •   Neni 3 i Ligjit për Kullotat e njeh qartë funksionin social-ekonomik të kullotës për blegtorinë dhe detyrimin që të mos tjetërsohen interesat e banorëve vendas.

   •   Kushtetuta (neni 59/d) e detyron shtetin të mbrojë mjedisin dhe burimet natyrore, jo t’i shesë pa garanci për ruajtjen e tyre.

   •   Ligji për Trashëgiminë Kulturore dhe Natyrore e ka të mbrojtur Zonën e Lumit të Gashit (UNESCO) dhe rezervat strikte – aty ku çdo ndërhyrje duhet të jetë e kufizuar rreptësisht.

Pra, vetë ligjet ekzistuese kërkojnë mbrojtje dhe pjesëmarrje të komunitetit. Ndërsa Paketa e Maleve, me mekanizmin e “legalizimit pas investimit”, i heq komunitetit të drejtën e fjalës paraprake dhe e lë vendimin vetëm në duar të këshillit bashkiak.

Pasojat e drejtpërdrejta

   •   Privatizim i kullotave të përbashkëta – investitori merr tokë që në realitet përdoret nga fshati.

   •   Përplasje sociale – aty ku pronësia nuk është e qartë, çdo kontratë zhvillimi kthehet në konflikt. Historia e veriut na ka treguar se bjeshka nuk falet dhe këtë duhet ta mësojnë mirë përfaqësuesit e rilindjes që shëtisin sa në një bjeshkë në një tjetër duke broçkullisur gjasme në emër të zhvillimit të këtyre zonave.

   •   Cenim i kohezionit social – pronat e përbashkëta janë ngjitësi i fshatit; po u morën, solidariteti thyhet dhe bëhet shkak flagrant për konflikte që fundin mund ta kenë deri në tragjik!

   •   Shkatërrim i ekosistemeve – nga Alpet e Tropojës deri te pyjet e Hasit, bjeshkët e bukura të Kukësit, pasi pasuritë natyrore të këtyre zonave janë shumë më të çmuara se çdo resort i përkohshëm i ndërtuar mbi to duke i tjetërsuar bashkë me pronësinë edhe pamjen që natyra ua ka krijuar në shekuj!

   •   Zhvillim pa përfitim lokal – lehtësirat fiskale nuk garantojnë që të ardhurat të shkojnë te bariu, bletari apo drurëtari apo banori vendas.

Thirrje këshillave bashkiake

Ju, si këshilltarë të Tropojës, Hasit dhe Kukësit, jeni porta e fundit, por kyçe e vendimmarrjes. Mos pranoni të jepni miratim për dhënie prone pa:

 1. Regjistrim paraprak të kullotave dhe pyjeve si pasuri të përdorimit kolektiv.

 2. Konsultim të detyrueshëm me komunitetin që posedon këto kullota e pyje për çdo investim.

 3. Kufizime zonale të forta pranë rezervave të mbrojtura e UNESCO-s.

 4. Kushtëzim të çdo lehtësie fiskale me kontrata furnizimi nga blegtorët e zonës dhe me fonde për ruajtjen e staneve dhe shtigjeve tradicionale.

Nëse heshtni sot duke menduar për ndonjë përfitim të çastit, historia dhe brezat e sotëm dhe ata të ardhshëm do t’ju mbajë përgjegjës për përplasjet që do të lindin. Bjeshkët dhe pyjet e veriut nuk janë pasuri e lirë për treg, por pjesë e identitetit tonë kombëtar. Për to janë bërë beteja dhe është derdhur gjak. Mos e ktheni këtë trashëgimi në shkak për konflikte sociale e gjakderdhje të reja.

Paketa e Maleve duhet ndryshuar rrënjësisht ose refuzuar. Përndryshe, ajo nuk do të jetë paketa e zhvillimit, por paketa e konflikteve e hapjes së plagëve sociale në të gjithë veriun e vendit!

Për një qeveri të përgjegjshme e cila mendon për qytetarët e vet parësore duhet të jenë interesat e banorëve të këtyre zonave e jo interesat e aferat e një grushti personash  të ashtuquajtur investitor strategjik që vetëm kërkojnë të pasurohen me pasurinë e këtyre zonave.

Stop kësaj mynxyre në veriun e Shqipërisë! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos