Akti i të hënës i deputetëve të opozitës me djegien e karrigeve në Kuvend, nuk do te jetë i vetmi. Pavarësisht deklaratave të ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha dhe referimit të ngjarjes në SPAK kundër 23 deputetëve, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pohoi se të zgjedhurit e opozitës nuk do të tërhiqen.
“Edhe Enveri të ngrihej nga varri, deputetët e opozitës as nuk tremben, as nuk tuten, por janë të vendosur ta çojnë gjer në fund mosbindjen civile dhe betejën për një Shqipëri pa narkodiktaturë, për një Shqipëri të shtetit ligjor dhe zgjedhjeve të lira”, tha Berisha shkruan A2 CNN.
Gjatë një konference për mediat, teksa bëri thirrje simpatizantëve për të marrë pjesë në protestën 7 tetorit, kreu i demokratëve pohoi se qeveria po përdor çdo mekanizëm për të shuar zërat e opozitës, por sipas tij kjo nuk do të ndodhë.
“Opozita ka zbritur në shesh dhe gjer në përmbushjen e misionit të saj, e vendosur për çdo sakrificë, e vendosur për qëndresën më të fuqishme, ajo nuk tërhiqet”, u shpreh Berisha.
Thirrjeve të ndërkombëtarëve për dialog dhe qetësi në Kuvend, lideri i opozitës iu përgjigj duke iu kujtuar edhe njëherë Komisionin e të Vërtetës që kërkon ta ngrejë në Kuvend.
“Ka vetëm një zgjidhje për t’u dhënë përgjigjen e plotë atij Everesti të zi të lidhjeve të tmerrshme me krimin nga Edi Rama dhe poshtë të kësaj administrate dhe këtij shteti dhe kjo është një ‘truth komision’ me prani edhe të përfaqësuesve të partnerëve ndërkombëtarë”, tha kryetari i PD.
Berisha shtoi se PD ka respekt për ndërkombëtarët dhe u kërkon që të mos heshtin përpara dhunimit të opozitës. Para konferencës për shtyp të Berishës, në selinë e PD u shfaqën aleatët e saj më të vegjël, ku zhvilluan një mbledhje të Federatës Opozitare, me fokus aksionin që pritet të vijojë në javët në vazhdim. (A2 Televizion)