Pagat e magjistratëve përplasën mazhorancën dhe opozitën në Parlament. Shumica refuzoi kërkesën e demokratëve për të hequr nga rendi i ditës p/ligjin e propozuar nga deputetët e mazhorancës, me qëllim që të zhvillohej një konsultim i plotë. Një kërkesë hipokrite, sipas socialistëve, që kërkuan nga Presidenti të dekretojë menjëherë ndryshimet ligjore.
Procesi i konsultimit me magjistratët për pagat e tyre nuk ka qenë efektiv, sipas demokratëve, që kërkuan në seancën parlamentare heqjen nga rendi i ditës të p/ligjit të shumicës.
Socialistët refuzuan kërkesën, me arsyetimin se janë respektuar të gjitha procedurat.
Për demokratët, socialistët vijojnë të injorojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Reagimin e opozitës, socialistët e quajnë hipokrit.
PS pohoi se do t’i kërkojë Presidentit të Republikës dekretimin e menjëhershëm të ligjit. (A2 Televizion)