Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur se është në të mirë të opozitës që të ketë sa më shumë grupe parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë.
Komentet Mediu i bëri në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetarin Pandi Gjata në A2 CNN, ku tha se nëse do të ketë më shumë grupe parlamentare të opozitës, kjo i jep një lloj frymëmarrje pakicës në Kuvend.
Mediu gjithashtu hodhi poshtë zërat që sipas tij qarkullojnë në media, se PD-së po i ikin deputetë për të formuar grupe të tjera parlamentare.
“Unë nuk pres ndonjë Parlament funksional, sepse një qëllim i Ramës ka qenë për ta shpërfytyruar Kuvendin e Shqipërisë, për të mos i dhënë atij autoritetin ligjor dhe kushtetues që ka. Dhe për më tepër që ky Parlament del nga zgjedhje të manipuluara. Pra Kuvendi unë mendoj se do të jetë thjeshtë një shtojcë e qeverisë.
Nga ana tjetër, përsa i përket veprimit të opozitës, unë kam patur diskutime me Berishën dhe kemi rënë dakord që të kemi sa më shumë grupe parlamentare, sepse kjo i jep më tepër frymëmarrje opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Ka një interpretim të njëanshëm të qëllimshëm nga ana e medias sikur po i merren deputetë PD-së.
Nuk është aspak e tillë. Ne jemi një trup deputetësh të dalë nga koalicioni i zgjedhjeve të 11 majit. Por krijimi i grupeve ka efekt për një debat më racional nëse do të jetë i kombinuar mirë dhe i fokusuar në çështjet që ka prioritet opozita”, tha mes të tjerash Mediu. (A2 Televizion)