Shqipëria prezantohet si vend nderi këtë vit në panairin e Turizmit në Berlin, një platformë për joshjen e investitorëve dhe turistëve për të vizituar vendin tonë. Në konferencën për shtyp, Kryeministri Rama ftoi udhëtarët nga mbarë bota që të vizitojnë Shqipërinë, me moton si një atraksion ku, në një kohë të shkurtër, mund të gjesh çdo gjë, raporton A2 CNN.
“Shqipëria ka për këdo një vend. Është një vend shumë i vogël, por ndryshon nga Zvicra; është më i larmishëm. Në një distancë shumë të shkurtër, 28 mijë km, por me larminë më të madhe; kemi dy dete, 9 lumenj, shumë male, shumë lugina, shumë liqene dhe, po kështu, si qershia mbi tortë, kemi shqiptarët. Dhe nuk jemi të mërzitshëm asnjëherë, si zviceranët”, tha Rama.
Në ngacmimin e gazetarit që izraelitët janë të dashuruar me shtetin helen dhe se sa mundësi reale ka Shqipëria të kthehet në një Greqi të re në turizëm, Kryeministri Rama iu përgjigj me argumentin e mikpritjes shqiptare që hebrenjtë e kanë të provuar nga koha e Luftës së Dytë Botërore.
“Kemi një bilanc të pastër, pa asnjë hebre që i është dorëzuar nazistëve. Në Kushtetutën tonë, të drejtën tonë zakonore të parë kemi një fjali shumë të rëndësishme: “Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit e mikut. Çdo mik përfaqëson Zotin”. Pra, në qofshin se doni të ndjeheni siç ndihet Zoti, ejani në Shqipëri. Nëse doni të shkoni në një vend ku mendoni që edhe shoferët e taksive janë perëndi, shkoni në Greqi. E dimë që për ne është dashuri, për ju është edhe para, por më mirë ejani në Shqipëri. Do të kurseni më shumë sesa në Greqi dhe do të keni gjithçka që keni në Greqi, me shumë pluse të tjera”, tha Rama.
Për shkak të fluksit në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza", qeveria po mendon të ketë edhe një aeroport sezonal në jug, përveç atij të Vlorës dhe Kukësit. “Imagjinoni 11 milion udhëtarë në një vend me 2.5 milion banorë; është një shifër e jashtëzakonshme. Po planifikojmë një të katërt në skajin më jugor, praktikisht përballë Korfuzit, sepse ka shumë mbingopje të aeroportit të Korfuzit dhe kemi kuptuar që ka një nevojë dhe kërkesë mjaft të madhe për të pasur një aeroport të vogël sezonal në skajin”, tha kryeministri.
Gazetarët e huaj i kërkuan Ramës se çfarë projektesh ka qeveria e tij për të zhvilluar edhe transportin tokësor për turistët. “Po vjen ngadalë në mënyrë të qëndrueshme, hap pas hapi. Për momentin jemi mjaft të prirur që të zëmë qiejt. Sa për tokën, ju ftojmë ju ta pushtoni”.
Në Berlin, ekipi shqiptar prezanton nën logon "All Senses" përvojat, emocionet dhe shijet unike që e bëjnë Shqipërinë një destinacion turistik dhe atraktiv për këtë vit turistik. (A2 Televizion)