Në të njëjtën ditë që Kushtetuesja rrëzoi pretendimet e Sali Berishës për shfuqizim të masës së sigurisë “detyrim për paraqitje”, ish-kryeministri hapi një front të ri me drejtësinë në Gjykatën e Lartë.
Kjo gjykatë regjistroi një kërkesë të radhës për liri nga ‘arresti shtëpiak’ të ish-kryeministrit të akuzuar për “korrupsion” nga SPAK, masë që e vuan prej 30 dhjetorit të vitit të shkuar.
Rekursi që mban firmën e ish-kryeministrit Berisha, por edhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, të dy të pandehur në dosjen “Partizani”, kundërshton vendimin e Apelit të Posaçëm të 18 qershorit, që refuzoi lirimin nga masa e “arresti në shtëpi”.
Kërkesa për ndryshim të masës ishte bërë nga Berisha e Malltezi gjatë një seancë për informacionet periodike 2-mujore mbi hetimin e SPAK ndaj tyre. Kolegji Penal që do të shqyrtojë kërkesën e radhës ndaj Berishës e Malltezit do të ketë për relator gjyqtarin Sokol Binaj, ndërsa ende nuk është përcaktuar një datë për seancën e parë.
Kjo përballje është e 8-ta në radhën e kërkimeve të bëra nga Berisha në Gjykatën e Lartë nga shkurti i vitit 2024. Në shtatë rekurset e mëparshme ka marrë përgjigje negative nga kjo gjykatë.
Ndërkohë që do të presë këtë gjykim, ish-kryeministri pret edhe Kushtetuesen, që ka regjistruar një ankim të tij kundër “arrestit në shtëpi”. Në vendimin e pak ditëve më parë, Kushtetuesja vlerësoi të ligjshme masën e parë të “detyrimit për paraqitje” ndaj Berishës dhe shfuqizoi vetëm masën e “ndalimit të daljes jashtë shtetit”.
Ndërsa të hënën, me 25 nëntor, Gjykata e Posaçme do të shqyrtojë në seancë paraprake kërkesën e SPAK për kalimin për gjykim të Berishës e Malltezit dhe të bashkëpandehurve të tyre në dosjen “Partizani”. (A2 Televizion)