Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të hetojnë veprimtarinë e miliarderit George Soros në Shqipëri, një ditë pasi Presidenti Donald Turmp tha se ai dhe i biri, Alex Soros, duhet të hetohen në bazë të ligjit kundër organizatave kriminale (RICO) për atë që kanë bërë në SHBA.
“Në një akt historik, presidenti i SHBA, akuzoi dje bazuar në aktin ligjor të RICO-s, George Soros-in dhe djalin e tij, ekstremist të majtë, Aleksis Soros si organizatë kriminale që kanë ushtruar një veprimtari intensive kundër rendit dhe sigurisë së SHBA. George Soros dhe i biri i tij janë sot mbështetja kryesore e grupeve kryesore dhe ideologjisë marksiste dhe post-marksiste në SHBA dhe në botë. Unë vij sot edhe për të rikujtuar se 8 vite më parë e kam shpallur Sorosin një monstër të njerëzimit. I kam kërkuar publikisht Senatit dhe Kongresit të SHBA që të ndalojnë me ligj veprimtarinë e tij kriminale, antidemokratike jashtë SHBA. Të njëjtën kërkesë i kam paraqitur publikisht edhe Parlamentit Europian.
Për Shqipërinë, e kam konsideruar dhe e konsideroj atë një armik të egër të demokracisë shqiptare. E vërteta është se po në këtë fjalë publike, unë kërkova shpalljen e tij non-grata. Gjatë këtyre viteve ai përdori të gjithë fuqinë e tij politike, monetare kundër demokracisë në Shqipëri, në mbështetje të një organizate kriminale që kryesohet nga Edi Rama”, tha Berisha në konferencë për mediat.
“Por rikujtoj shqiptarët se Soros dhe i biri, pas Nju Jorkut, kryeqytetin e dytë më të rëndësishëm në botë kanë pasur Tiranën. Në Tiranë, ata, me investimet e tyre të pakufishme financiare, me lobimet e tyre kriminale, ata arritën të transformojnë rendin demokratik dhe Kushtetutën e vendit. Për të konsoliduar pushtetin e krimit të Edi Ramës, George Soros, fondacioni i tij dhe i biri i tij, u angazhuan në të ashtuquajturat reforma që kishin vetëm një qëllim: monizmin dhe narkoshtetin në Shqipëri. Ata ndikuan shumë në administratën e Xho Bajden, por ndikuan edhe në kancelari të tjera. Ata u bënë mbështetje kryesore e dhunimit të zgjedhjeve dhe pranimit të zgjedhjeve të dhunuara pa u numëruar ende votat siç ishte rasti i vitit 2021. Ata u bënë mburojë e kanabizimit të plotë të vendit dhe më vonë hapjes së karteleve të drogës, më të fuqishme në Europë”.
Berisha akuzoi kryeministrin Rama se ai, ish-bashkëshortja dhe bashkëshortja e tij aktuale, janë pasuruar nga paratë ilegale të Soros-it në Shqipëri. “Thirrja ime për qeverinë e SHBA dhe kongresin e SHBA, thirrja ime për FBI-në, të shtrijnë hetimet e tyre për George-in dhe të birin edhe në Shqipëri gjatë 20 viteve dhe do gjejnë se si ata përdorën çdo lloj influence kundër një force politike në favor të ekstremit të majtë të Edi Ramës, bashkëshortes së tij dhe ish-bashkëshortes së tij, të gjitha drejtuese kryesore në fondacionin Soros, të ushqyera me miliona nga ky fondacion. Të hetojnë politikën e jashtme të George Soros, e cila në mënyrë absolute përputhej me Beogradin dhe binte ndesh me interesat e shqiptarëve, me politikën e ndjekur zyrtare të SHBA gjer në atë kohë, por dhe me politikën e ndjekur nga presidenti Donald Trump në mandatin e parë. Iu bëj thirrje që duke përdorur aktin RICO, të hetojnë çdo veprim të George Soros në të ashtuquajturën reformë kushtetuese dhe të drejtësisë, me të cilën kanë garantuar sot një pushtet që kontrollon mbi 95 për qind të çdo gjëje në këtë vend”. (A2 Televizion)