Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të enjte projektligjin për krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, një ndërmarrje shtetërore e cila do të merret me menaxhimin e mbetjeve në nivel kombëtar. Rama e quajti trajtimin e mbetjeve si “kapitullin më sfidues të negociatave me Bashkimin Europian”.
“Do të çojmë përpara një paketë të re reformash dhe masash, për të cilat dua të them se, së pari, është projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ku kemi parashikuar krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, një ndërmarrje e re, e cila do të jetë në dispozicion të të gjithë republikës, do të jetë në dispozicion të pushtetit vendor, qytetarëve dhe misionit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke përqendruar procesin e grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve. Nuk do të jetë më një proces i administruar nga bashkitë, por proces i administruar nga ky operator kombëtar, në raport me të cilin bashkitë do të jenë klientë, njëlloj siç janë klientë të operatorëve të tjerë”, tha Rama në një takim me drejtues të pushtetit vendor.
Rama paralajmëroi edhe largimin e varrezave të makinave që qëndrojnë buzë akseve rrugore. “Tjetra është sfida e përafrimit me direktivat e BE dhe ky ligj i ri merr përsipër këtë gjë. Jemi në situatë tërësisht primitive në raport me ndarjen në burim të mbetjeve, jemi i vetmi vend në Europë që varrezat e makina i kemi të ligjëruara pa ligj, por me vullnetin e “Maliqit” në territor dhe ky do të jetë një operacion që do të vazhdojë, për shkuljen e gjithë atyre varrezave”, shtoi ai. (A2 Televizion)