PD akuza Ramës për menaxhimin e fondeve në QSUT: Në vend të ilaçeve, po u ofron dhoma hoteli

Nga A2 CNN
31 Gusht 2025, 12:11 | Politikë

PD akuza Ramës për menaxhimin e fondeve në QSUT: Në vend

Partia Demokratike ka denoncuar publikisht problemet në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja demokrate, Genta Vangjeli, u shpreh se qeveria e kryeministrit Edi Rama në vend që të zgjidhë problemin e medikamenteve dhe shërbimeve bazë në këtë qendër, i jep jep prioritet projekteve fitimprurëse me natyrë biznesi në zemër të sistemit shëndetësor publik. Sipas saj qendra më e madhe shëndetësore në vend QSUNT po kthehet në një qendër tregtare fitimprurëse.

Deklarata e zëdhënëses demokrate, Genta Vangjeli

Partia Demokratike denoncon publikisht një tjetër rast që prek direkt interesat e qytetarëve shqiptarë.

Pa u shqetësuar për medikamentet jetësore që mungojnë qeveria e Edi Ramës i jep sigurisht prioritet ideve të të bërit biznes.

Kështu qendra më e madhe shëndetësore në vend QSUNT po kthehet në një qendër tregtare fitimprurëse.

Në shtator të vitit të shkuar FSHZH shpalli tenderin me objekt “Përmirësimi i transportit urban dhe parkimeve (Parkimi i QSUT): Ndërtimi i godinës së Parkimit Multifunksional me shumë nivele në Qëndrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë (QSUT)”, procedurë e cila u fitua nga Salillari shpk me subjekt mbështetës ASL shpk, kundrejt vlerës 14 milionë euro (me tvsh).

Kontrata e parashikuar të realizohet për 24 muaj përfshin dy ndërtesa , një parkim automjetesh 5 kate mbi tokë dhe 1 kat nën tokë, si dhe një hotel 5 kate mbi tokë për shërbimet e pritjes dhe logjistikës plus 1 kat nën tokë për ambiente teknike në funksion të tij.

Gjasat janë që menaxhimin e parkimit të ri mund ta kryejë Agjencia Ekonomike Mbështetëse e krijuar (në v.2018) nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, e drejtuar nga ish-zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.

Në krye të saj qëndron Alfred Dalipi, ish-zv.ministër i Mjedisit dhe ish deputet i PS-së. Kjo agjenci nisi aktivitetin e saj duke vendosur tarifa parkimi në QSUT, dhe tashmë është shndërruar në një strukturë që përveç parkimit të QSUNT menaxhon edhe parkime dhe projekte në të gjithë vendin, si:

• Qendra e Zhvillimit të Turizmit në Valbonë, Tropojë

• në Vermosh, Malësi e Madhe

• Kompleksi Agroturistik në Belsh

• Godina e Parkimit në Berat, në Sheshin “Teodor Muzaka”

• Qendra e Zhvillimit Rajonal në Korçë

• Godina e Parkimit në Gjirokastër, në Sheshin “Çerçiz Topulli”.

Përmes këtyre projekteve, Agjencia gjeneron miliona euro në kurriz të pasurisë publike. Ndërkohë, QSUT – spitali më i madh i vendit – përballet me mungesë të shërbimeve bazë dhe të hapësirave po përdoren për zona parkimi me pagesë.

Ky është një tjetër shembull i zhvatjes së pasurisë publike dhe i kthimit të institucioneve shëndetësore në biznese private, në kurriz të qytetarëve.

Partia Demokratike kërkon transparencë të plotë dhe ndalimin e menjëhershëm të projekteve që synojnë kthimin e QSUT-së në një qendër fitimprurëse, në vend që të jetë një institucion në shërbim të pacientëve dhe shëndetit publik.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos