PD denoncon arrestimet në Pogradec: Policia po vepron në mënyrë të njëanshme, incidenti u provokua nga PS

Nga A2 CNN
12 Maj 2025, 21:04 | Politikë

PD denoncon arrestimet në Pogradec: Policia po vepron në

Partia Demokratike ka reaguar për incidentin e një dite më parë në qendrën e votimit në Pogradec, ku policia vuri në pranga simpatizantin e Partisë Demokratike, Luan Tollozhina, i cili dhunoi komisionerin socialist dhe një votuese. Më pas nipërit e 63-vjeçarit kanë dhunuar bashkëshorten dhe djalin e tij.

Në një reagim në rrjetet sociale drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Korçës, Ivi Kaso sqaron se kjo situatë ka ndodhur pas provokimeve të komisionerit të PS-së. Sipas Kasos Policia ka vepruar në mënyrë të njëanshme, duke proceduar komisionerë të PD-së, dhe asnjë person nga pala tjetër. Ai kërkon lirimin e menjëhershëm të të ndaluarve dhe i bën thirrje policisë të tregohet e papanshme dhe profesionale.

Reagimi i Partisë Demokratike Qarku Korçë lidhur me incidentin e Pogradec:

Lidhur me incidentin e ndodhur në Pogradec, ku janë përfshirë edhe anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, sqarojmë se:

Pas ngacmimeve dhe provokimeve të përsëritura nga ana e një komisioneri të Partisë Socialiste në shkollën “Esat Minarolli”, ka shkuar në qendrën e votimit kryetari i grupseksionit, njëherësh babai i komisionerëve të PD-së, z. Luan Tollozhina.

Komisioneri rilindas ka vijuar provokimet me terma fyes, edhe ndaj babait të komisionerëve tanë, gjë që ka çuar në një konflikt fizik.

Konflikti ka vijuar edhe jashtë qendrës së votimit dhe policia ka arrestuar shtetasin Luan Tollozhina, dhe pas tij djalin e tij, Aldo Tollozhina, vëllain e tij Roshi Tollozhina, dy komisionerë të tjerë, si dhe ka shpallur në kërkim dy familjarë të tyre.

I bëjmë thirrje Policisë dhe Prokurorisë të tregohen profesionale dhe të paanshme në veprimet hetimore.

Janë proceduar shtatë persona, të gjithë komisionerë të PD-së, dhe asnjë person nga pala tjetër, që kanë qenë nismëtarët dhe shkaktarët e konfliktit.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të ndaluarve, kthimin e tyre pranë familjes dhe ndalimin e veprimeve të njëanshme nga organet përkatëse, duke zbatuar mbi të gjitha ligjin.

Ne e kemi parë njëanshmërinë e Policisë dhe Prokurorisë jo vetëm në Pogradec, por edhe në zona të tjera të Shqipërisë.

Kjo nuk u bën nder organeve ligjzbatuese, që mbahen me taksat e të gjithë qytetarëve, pa dallime partiake.

Partia Demokratike e Qarkut Korçë është e vendosur të mbrojë jo vetëm integritetin e zgjedhjeve, por edhe të komisionerëve, vëzhguesve dhe të gjithë anëtarëve e mbështetësve të opozitës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos