Ashtu siç kishte paralajmëruar, Partia Demokratike vijon të paraqesë në selitë kryesore të BE-së, prova që sipas tyre faktojnë se zgjedhjet e 11 majit u fituan nga Partia Socialiste, nën diktatin e krimit të organizuar.
Së fundmi, deputetja Albana Vokshi, ka mbajtur një fjalim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku denoncoi parregullsitë dhe kërcënimet që, sipas saj, shoqëruan zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri.
“Nuk mund të ketë standarde të dyfishta për vendet anëtare të BE-së dhe ato kandidate si Shqipëria. Kur vota nuk është e lirë, demokracia nuk ekziston,” tha Vokshi, duke shtuar se zgjedhjet nuk mund të konsiderohen demokratike kur “shteti dhe partia në pushtet janë një, kur qytetarët kërcënohen dhe policia hesht”.
Ajo kërkoi një hetim ndërkombëtar mbi zgjedhjet dhe bëri apel për mbrojtjen e grave në politikë, teksa sqaronte incidentin që ndodhi ditën e zgjedhjeve në një qendër votimi në Vorë, ku ajo dhe Flamur Noka u përplasen verbalisht me përfaqësues të mazhorancës, të cilët i akuzojnë si anëtar të bandës së Xhabaftëve.
“Kam qenë dëshmitare e një procesi të dhunshëm dhe të kontrolluar nga grupe kriminale. Në Vorë, u kërcënova në mes të ditës nga kriminelë të dënuar për vrasje dhe trafik droge. Vajza ime gjithashtu u kërcënua. Pavarësisht telefonatave Policisë së Shtetit si dhe kallëzimeve zyrtare në SPAK, askush nuk veproi. Ata kriminelë janë ende të lirë, ndërsa unë druhem çdo ditë derisa fëmijët kthehen në shtëpi”, rrëfeu Vokshi.
Deputetja denoncoi gjithashtu përdorimin e burimeve shtetërore dhe fondeve publike për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.
“Pak javë para zgjedhjeve, Kryeministri miratoi 138 licenca për kultivim kanabisi – 147 herë më shumë se kufiri ligjor – duke mbuluar 29,000 hektarë, kryesisht në zonat kufitare. Partia në pushtet pati rritje të ndjeshme votash në ato rajone. Kjo nuk është një garë demokratike – është një kërcënim për sigurinë kombëtare. 402 milionë euro fonde publike u keqpërdorën për të blerë vota dhe manipuluar rezultatin: • 100 euro bonus për mbi 750,000 pensionistë (ose 42% e votuesve) • 200 milionë euro gjoba të falura dy ditë para zgjedhjeve • vende pune, subvencione, tendera dhe evente luksoze të kthyer në mjete për më shumë vota. Vota u ble edhe me paratë e taksapaguesve”, nënvizoi ligjvënësja opozitare. (A2 Televizion)