Procesi i rinumërimit ka hyrë në javën e dytë, por duket se ka humbur interesin e partitive politike. Ndryshe nga numërimi fillestar, ku përfaqësuesit e partive dyndeshin para tavolinave të numëruesve, pallati i sportit “Farije Hoti”, prej ditësh vizitohet nga pak njerëz.
I vetmi që ka qenë prej fillimit të rinumërimit është deputeti Asllan Dogjani, pavarësisht se është larg marrjes së mandatit. Ai është i vetmi që konteston dhe vendimet e numëruesve të KQZ, shkruan A2 CNN. Një votë për të, por që u konsiderua e pavlefshme nga anëtarët e KAS, ishte shkak për debate mes deputetit dhe anëtarëve të këtij organi.
Demokrati duket se pakënaqësinë më të madhe e ka me Ilir Rusmalin, të cilin e akuzon me emër se po i heq vota padrejtësisht. Pas denoncimit Dogjani vijoi vëzhgimin e rinumërimit dhe sërish pati përplasje me anëtarët e KAS, ku këtë herë ishte radha e Elvis Cefës për t’u përballur me kritikat e tij.
Procesi i rinumërimit deri më tani ka shfaqur më shumë probleme brenda llojit ku kandidatët kanë tentuar t’i marrin vota preferenciale kolegut të partisë, sesa mes subjekteve të ndryshme garuese. (A2 Televizion)