Ilirjana Kuçana, anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, e ftuar në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, deklaroi se partia ku ajo bën pjesë nuk e ka luksin “për të bërë pushime të gjata”.
“PD-ja nuk e ka luksin për të bërë pushime të gjata. Sepse ajo çfarë i ka ndodhur jo vetëm Partisë Demokratike, por edhe Shqipërisë, unë mendoj që duhet menduar për disa skenare dhe do duhet të jetë në terren për të gjetur zgjidhjen jo vetëm për 500 mijë demokratë që e duan zgjidhjen, por edhe për ata që kanë votuar Edi Ramën, por sot ai po i prish shtëpitë”, tha Kuçana.
“Që ka pasur farsë zgjedhore, kjo nuk diskutohet. Denoncimet e mia në SPAK kanë qenë të përjavshme para zgjedhjeve, por denoncimet që kam bërë për bandat kriminale më kthyen në kandidaten më të sulmuar. Por, kam zgjedhur të merrem me politikë sepse e shikoj si mision ndaj qytetarëve që më kanë besuar dhe më kanë votuar.
Qytetarët më pyesin: duhet të ikim edhe ne nga Shqipëria, apo opozita do të na qëndrojë krah përballë një kryeministri që nuk dihet se çfarë do të bëjë nesër”, theksoi më tej Kuçana. (A2 Televizion)