PD kërkon dorëheqjen e Klotilda Bushkës si kryetare e Komisionit të Ligjeve

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2025, 14:32 | Politikë

PD kërkon dorëheqjen e Klotilda Bushkës si kryetare e Komisionit

Partia Demokratike përmes deputetes Dhurata Çupi ka kërkuar dorëheqjen e ligjvënëses socialiste Klotilda Bushka nga posti i kryetares së Komisionit të Ligjeve, pasi i doli emri në dosjen e SPAK që çoi në arrestimin e Erion Veliajt.

Ajo shprehet se kryeministri Edi Rama është zvarritur pas prangave të Erion Veliajt dhe në këtë mënyrë ka hedhur në erë qeverinë, Bashkinë e Tiranës dhe Kuvendin e Shqipërisë. Çupi thekson se kryeministri ka dhënë mesazhi publik se kush pengon zbulimin e korrupsionit ka mbrojtjen e tij.

“Si nënkryetare e Komisionit të Ligjeve, jam shumë e keqardhur për qëndrimin antishtet të mbajtur nga Kryetarja e Komisionit të Ligjeve gjatë hetimit të miqve të saj politikë dhe të biznesit, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa. Pengimi i hetimeve, duke ndihmuar në shkatërrimin e telefonit si mjet për provat e korrupsionit të çiftit Veliaj-Xoxa; Pengimi i hetimeve duke orientuar dëshmitarët të japin dëshmi të rreme; Pengimi i hetimeve për të mësuar se kompania guackë e Ajola Xoxës kishte adresën e shtëpisë së Kryetares së Komisionit të ligjeve; Të gjitha këto akte janë të dënueshme moralisht, politikisht dhe penalisht", tha Çupi.

Çupi thotë se me pjesën penale në rastin e Bushkës duhet të merret SPAK-u, por PD si opozitë ka detyrimin të ngrejë zërin “kundër keqpërdorimit të Parlamentit dhe Komisionit të Ligjeve në aferën korruptive të Erion Veliajt”.

“Komisioni i Ligjeve, Këshilli i Mandateve, Sekretariati për procedurat votimet dhe etiken, është keq përdorur këto vite për të mbrojtur paligjshmërinë e Edi Ramës përmes ligjeve me porosi, dënimit me porosi të opozitës apo mbrojtjen me porosi të mandateve antikushtetuese. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, duhet të japë dorëheqjen! Komisioni i Ligjeve nuk duhet të merret zvarrë nga prangat e Erion Veliajt dhe pafuqia e Edi Ramës për të mbuluar korrupsionin e tmerrshëm të mazhorancës dhe qeverisë që drejton”, nënvizon Çupi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos