Sherr PD-Presidencë, opozita: Datën e caktoi Rama, Begaj i përgjigjet Gazment Bardhit

Nga Ervin Koçi
8 Shtator 2025, 17:00 | Politikë

Bajram Begaj dekretoi datën 12 shtator për nisjen e legjislaturës së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 11 majit. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, zyra e shtypit e presidentit publikoi foton e dekretit dhe të Presidentit duke hedhur firmën në letër.

Dekretin e tij kreu i shtetit e shoqëroi edhe me një mesazh për deputetët e rinj të Kuvendit, duke kërkuar nga ta bashkëpunim në interes të aspiratës së shqiptarëve për t’u bërë pjesë e BE-së.

“Kuvendi është simbol i demokracisë, është hapësira ku ju, të nderuar deputetë, do t’i përkushtoheni përgjegjësisë dhe angazhimeve të marra, është hapësira ku duhet të dëgjohen dhe të respektohen zërat e të gjithë shqiptarëve. Shqipëria ndodhet përpara një momenti historik në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në përmbushjen e këtij prioriteti madhor, Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të jetë përfaqësuesi i vizionit dhe aspiratës së shqiptarëve për një Shqipëri evropiane”, shkroi presidenti.

Por fjalët e presidentit nuk prodhuan reagim konstruktiv në sytë e opozitës. Gazment Bardhi nga PD ishte i pari që e cilësoi datën e përzgjedhur si të caktuar në zyrat e Partisë Socialiste, e jo të kreut të shtetit.

“Shqipëria nuk ka President të Republikës, por një ministër të Ramës në Presidencë, që firmos çdo gjë që urdhëron Taulant Balla. Çfarë turpi, çfarë niveli mediokër”, u shpreh Bardhi.

Sipas Kushtetutës, Presidenti Begaj kishte mundësi të përzgjidhte një ditë nga data 10 shtator deri më 20 shtator, por dita e 12 e muajit kishte ditë që ishte artikuluar jozyrtarisht nga socialistët. A2 CNN e pyeti zyrën e Presidentit se mbi cilat kritere kreu i shtetit përzgjidhi këtë datë për nisjen e legjislaturës, e jo një datë më të hershme. Përgjigja ishte se 12 shtatori ishte dita më e afërt që Kuvendi mund të mblidhej.

“Deri ditën e enjte, Presidenti nuk mund të nxirrte datën pa u certifikuar rezultati, dhe dita e vetme më e shpejtë për thirrjen ishte 12 shtatori”, sqaron presidenca

Pavarësisht qëndrimeve, e premtja e 12 shtatorit do të shënojë edhe nisjen e legjislaturës së re parlamentare, ku përplasja për datën se kur duhet të nisë parlamenti tingëllon si një paralajmërim për atë çfarë do të ndodhë në këtë legjislaturë të re parlamentare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos