Kryeministri Edi Rama, në Konferencën e Ambasadorëve “Diplo2025”, u kërkoi ambasadorëve që të regjistrojnë në mënyrë të plotë komunitetet shqiptare nëpër botë.
Kreu i qeverisë theksoi se është e papranueshme që një vend i vogël si i yni të mos ketë një regjistër të përditësuar vazhdimisht me shqiptarë të cilët shkëlqejnë në profesionet e tyre, në vendet e huaja, shkruan A2.
“Pjesëmarrja e shqiptarëve jashtë atdheut në zgjedhje forcon jo thjesht rolin e tyre në aspektin e fuqisë vendimmarrëse në vend, por forcon edhe nivelin e detyrimit tonë për t’u shërbyer dhe për t’u organizuar me ta. Edhe këtu ka disa arritje të veçanta, por në tërësi jemi shumë mbrapa. Jemi një vend i vogël dhe popull i vogël, që nuk e kemi luksin të mos kemi as dijeni për burimet tona njerëzore jashtë vendit, për shqiptarët e shkolluar, profesionistët e jashtëzakonshëm, që ne i kemi në të gjitha vendet e botës. Dhe minimalisht dijeninë për ta, për ekzistencën e tyre duhet të na e garantojë shërbimi diplomatik”, tha Rama.
“Me këtë dijeni shumëçka tjetër mund të ndërtohet. Por, që ne të mos kemi një databazë që pasurohet dita-ditës me profesionistë shqiptarë në territoret e mbarë botës, dhe kur shumë shqiptarë shkëlqejnë dhe bëjnë sukses dhe nuk kanë nevoja materiale ndaj Shqipërisë, por do ta mirëprisnin një ftesë të Shqipërisë për të kontribuar, ndërkohë që bota është bërë kaq e ndërlidhur, kur nuk ka më asnjë nevojë për të lëvizur, që aty ku je mund të japësh një kontribut, është e papranueshme që ne kemi kaq padituri për një kapital të jashtëzakonshëm që kemi jashtë vendit”, shtoi kryeministri.
(A2 Televizion)