PD prezanton programin për mjedisin, Berisha: Një emergjencë kombëtare. Mafia i ka pushtuar

Nga A2 CNN
31 Mars 2025, 20:39 | Politikë

PD prezanton programin për mjedisin, Berisha: Një emergjencë

Partia Demokratike ka prezantuar pasditen e sotme programin për sektorin e Mjedisit, Pyjeve dhe Kullotave të “Shqipërinë Madhështore”. Në fjalën e tij kreu demokrat Sali Berisha akuzoi qeverisjen socialiste se në 12 vite ka dëmtuar rëndë mjedisin, duke e bërë sipas tij, Shqipërinë të pajetueshme. Kryedemokrati theksoi se mafia i ka pushtuar këto fusha, të cilat sipas tij përbëjnë një emergjencë kombëtare.

“Ajo çka spikat sot në këto 12 vite mund të themi se është një rrokullisje e madhe. Nuk dua të përdor terma, por është një injorim, është një pushtim nga mafia e këtyre fushave. Mjedisi, me të cilin lidhet direkt shëndeti i njeriut, është më i braktisur, më i kërcënuar se rrallë ndonjëherë në histori. Mjedisi është sot i tëri i dominuar, i manipuluar, i dëmtuar nga interesa kryekëput mafioze të klientelës qeveritare. Shqipëria, që për disa rrethana mund të kishte mjediset më të lakmueshmet në Europë, ka kryeqytetin, njërin nga 10-12 qytetet më të ndotura të planetit”.

Në këto kushte Berisha theksoi se projekti i PD-së ka si synim vendosjen e standardeve më të mira evropiane.

“Standarde të cilat synojnë një mjedis të shëndetshëm, një mjedis të pastër, një mjedis të monitoruar, një mjedis të zhvilluar. Kompleksi mjedisor, faktorët që bashkëveprojnë në mjedisin, do të marrin të gjithë vëmendjen dhe angazhimin. Nuk ka dyshim se pyllëzimi real do jetë një drejtim qendror. Pyllëzimi do të gërshetohet me mbjelljen e drurëve frutorë. Por kjo nuk do të thotë se do hiqet dorë nga mbjellja e drurëve të tjerë nativë për zonat ku ato janë. Rindërtimi i institucioneve të këtyre fushave, veprimtaria e tyre në përputhje me standardet evropiane, do jetë zotimi ynë para shqiptarëve”.

Berisha garantoi se qeveria e tij do jetë më miqësore ndaj mjedisit dhe do të miratojë ligje që mbrojnë tokën ajrin dhe ujin.

“Ju siguroj se nuk do lëmë ligj pa miratuar, kriter pa zbatuar, investim pa bërë, që të shënojmë një kthesë rrënjësore në ruajtjen, zhvillimin e mjedisit, e zonave të mbrojtura, e pasurive të tyre të pafundme. Mbrojtjen nga ndotjet të ajrit, të tokës, të ujërave. Për ne, janë dhe do mbeten përparësi të mëdha. Ne do bëjmë gjithçka që shqiptarët në përputhje me standardet më të mira, të përfitojnë maksimalisht nga pasuritë e pafundme të pyjeve, kodrave, maleve, kullotave të këtij vendi. Të bimëve aromatike, medicinale dhe bimëve të tjera. Do të ringremë një infrastrukturë efiçente me të gjitha institucionet dhe institutet e domosdoshme për të përmbushur këtë mision, për t’i rikthyer Shqipërisë dhe shqiptarëve një mjedis të shëndetshëm, një mjedis të begatë natyror. Ju ftoj që çdo propozim që keni, t’ua dorëzoni zotërinjve drejtues të departamentit sipas fushave”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos