PD takim me të Dërguarin Special të Presidentit Trump: Shqipëria përballet me kapjen e shtetit

Nga A2 CNN
7 Shtator 2026, 13:52 | Politikë

PD takim me të Dërguarin Special të Presidentit Trump:

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, zhvilluan një takim me z. Paolo Zampolli, të Dërguarin Special të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Partneritetet Globale.

Sipas njoftimit të PD-së, përfaqësuesit e Partisë Demokratike përcollën qëndrimin e palëkundur të PD-së për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shprehën mbështetjen e saj për administratën e Presidentit Donald Trump.

"Në takim u diskutua gjerësisht mbi situatën politike, institucionale dhe ekonomike në Shqipëri, si dhe mbi sfidat që, sipas opozitës, po cenojnë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe funksionimin normal të institucioneve. Përfaqësuesit e PD-së theksuan se krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë krijuar një klimë të pafavorshme për investimet e huaja dhe kanë dëmtuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë në vend. Në këtë kuadër, ata nënvizuan nevojën për një Shqipëri ku sundimi i ligjit, konkurrenca e ndershme dhe siguria juridike të jenë garanci për çdo investitor dhe qytetar. Një vëmendje e veçantë iu kushtua shqetësimit të opozitës për përqendrimin e pushtetit dhe kontrollin politik mbi institucionet. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike argumentuan se qeverisja e Edi Ramës ka krijuar një sistem ku kufijtë mes pushteteve janë dobësuar dhe ku drejtësia pengohet të bëjë punën e saj në mënyrë të pavarur", lexohet në njoftimin e PD-së, shkruan A2.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu ajo që përfaqësuesit e Partisë Demokratike e cilësuan si “axhenda Soros” në Shqipëri. Sipas tyre, kjo axhendë ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike dhe institucionale të vendit dhe ka cenuar parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një demokraci e konsoliduar dhe një shtet ligjor funksional. Në këtë kontekst, përfaqësuesit e PD-së ngritën shqetësimin për standardet e zgjedhjeve në Shqipëri, duke theksuar se zgjedhjet e lira dhe të ndershme mbeten një prej kushteve themelore për rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet. Ata denoncuan përdorimin e parave të paligjshme, keqpërdorimin e administratës publike për qëllime elektorale dhe lidhjet e politikës me krimin e organizuar si faktorë që, sipas tyre, deformojnë vullnetin e qytetarëve.

Z. Paolo Zampolli shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë me opozitën shqiptare dhe për të ndihmuar që Shqipëria të ecë përpara në proceset e veta demokratike. Partia Demokratike ritheksoi në takim se do të vijojë të jetë në krah të qytetarëve shqiptarë, në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe interesit kombëtar, si dhe në funksion të forcimit të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë historikë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos