Përfundon dorëzimi i kutive në KZAZ e Himarës, pritet të nisë numërimi i votave

Nga A2 CNN
4 Gusht 2024, 22:48 | Politikë

Në KZAZ nr. 88 të Himarës rreth 4 orë pas mbylljes së votimeve për zgjedhjet e pjesshme, ka përfunduar dorëzimi i kutive dhe materialeve zgjedhore nga të 36 qendrat e votimit të kësaj bashkie.

“Kutitë e votimit, materialeve zgjedhore, pajisjet PEI, kamerat monitoruese të QV për 36 QV u morën në dorëzim nga KZAZ sipas procedurave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe aktet e KQZ-së në fuqi”, njofton KQZ.

KZAZ-ja nuk ka konstatuar asnjë kuti të parregullt dhe përmbylli procesin e dorëzimit të materialeve zgjedhore, ndërsa shumë shpejt pritet të nisë edhe procesi i numërimit të votave.

Pritet që në orët e para të mëngjesit të së hënës Himara të mësojë emrin e kryebashkiakut të ri, në garën midis Vangjel Tavos dhe Petro Gjikurisë. Edhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha më herët gjatë ditës se numërimi i votave pritet të përfundojë në orët e para të mëngjesit.

Në total ditën e sotme ishin 8678 himarjotë që iu drejtuan sot kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e ri nga 23.074 zgjedhës të regjistruar në lista.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në këtë proces është përllogaritur në 37.61%, pak më e lartë se në zgjedhjet e 14 majit 2023, ku votuan 7821 persona, ose 34.27% dhe fitues me 19 vota diferencë nga rivali i tij socialist Jorgo Goro, doli Fredi Beleri i koalicionit “Bashkë Fitojmë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos