Pas mbylljes së 36 qendrave të votimit në Himarë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar me një postim në rrjetet sociale ku nënvizon se procesi i votimit ka qenë i qetë.
“Në orën 19:00 përfundoi orari i votimit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë. Qendrat e votimit janë mbyllur në të gjithë territorin e bashkisë. Procesi i votimit në 36 QV ka vijuar i qetë ndërkohë që zgjedhësit janë identifikuar elektronikisht dhe sistemi PEI ka rezultuar krejt i suksesshëm. KQZ e ndoqi në dinamikë ecurinë e procesit, duke ndërhyrë në rastet kur u kërkua asistencë nga ana e Komisionerëve të Qendrave të Votimit.”
Sipas informacioneve paraprake të KQZ, nga të dhënat e raportuara rezulton se pjesëmarrja në zgjedhje rezulton 36.9%.
Sa i përket nisjes së procesit të numërimit, KQZ sqaron se do të startojë sapo të dorëzohet edhe kutia e fundit në KZAZ e qytetit.
“Komisionet e QV po përgatiten për të dorëzuar kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore në KZAZ-në nr. 88, për t'i hapur rrugë procesit të numërimit të votave. Procesi i numërimit të votave do të fillojë kur të mbërrijë në KZAZ edhe kutia e fundit e votimit nga QV me largët.” (A2 Televizion)