Petro Gjikuria nis fushatën në Himarë: Do të vë në zbatim programin e Fredi Belerit

Nga Jerola Ziaj
17 Korrik 2024, 21:13 | Politikë

Kandidati për kryetar bashkie nga radhët e opozitës së bashkuar, Petro Gjikuria, ka çelur fushatën elektorale, duke zhvilluar një takim prezantues me banorët e Himarës. Në fjalë e tij, Gjikuria tha se do të vërë në zbatim programin e Fredi Belerit.

"Çfarë ka bërë Goro si kryetar bashkie, të gjithë këta e kanë lënë bashkinë e Himarës në gjendjen që është sot. Solli Tavon me katapultim. Bashkia nuk ka nevojë për një politikan, por një person që do të punojë për të zgjidhur problemet. Thonë edhe se Fredi nuk është me mua, është gënjeshtër shumë e madhe, prania e Petro Belerit dëshmon të kundërtën. Do të vë në zbatim programin e Fredi Belerit", tha ai.

Vangjel Dule, kreu i PBDNJ thotë se Himara do të ketë dy kryetarë bashkie tashmë, Petro Gjikurinë për Himarën dhe Fredi Belerin në Parlamentin Europian. Sipas Dules, Edi Rama ka qenë deri më tani kryetar bashkie në Himarë duke ndryshuar sipas tij maskat e fytyrës duke vendosur njëherë maskën e Goros, më pas të Blerina Balës, Arqile Bollanos dhe tashmë të Vangjel Tavos. Qëllimi sipas Dules është të ndalet shpopullimi i Himarës largimi i qytetarëve nga pronat e veta.

Tedi Blushi sekretar i përgjithshëm i Partisë së Lirisë thotë se Rama vendos në Himarë kandidat për interesat e veta, të cilët kanë për qëllim zaptimin e pronave të Himarës.  Blushi në fjalën e tij, pati një mesazh për kryeministrin Edi Rama.

“Nga ky shesh i bëj thirrje Edi Rama: Hiqi kthetrat e zeza nga Himara! Mos e provoko nervin dhe karakterin e himarjotëve! Mos guxo t’i përçash se fundin do ta kesh shumë të keq”, tha Blushi.

Ivi Kaso sekretari për Çështjet ligjore në Partinë Demokratike konfirmon se ka ardhur në Himarë për të shprehur mbështetjen e PD dhe opozitës së bashkuar për Gjikurinë.

Në takimin hapës së fushatës në Himarë përshëndetën në fjalën e tyre Petro Beleri, i biri i Fredi Belerit i cili përcolli për himarjotët mesazhin e babait të tij, Afrovita Dhimojani kryetare e PD Himarë si dhe Vasilis Kajo, kryetar i Omonias në Shqipëri.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos