Dënimi me burg i Ervin Salianjin kënaqi Edi Ramën. Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e konsideron vendimin e Gjykatës së Apelit si drejtësi e çuar në vend, pasi dënimet e mëparshme të kundërshtarëve në syrin e tij kishin qenë të papërfillshme duke nënvizuar se dënimi me 1 vit burg nuk do të sjellë ndryshime në artikulimin politik në vend, por e cilëson si një ditë të mirë për të vërtetën, shkruan A2 CNN.
Edi Rama: Në këtë vend ku për 34 vjet nuk ka mbetur i gjallë e i vdekur pa u ndotur nga llumi i lumit të atyre jashtënxjerrjeve të përditshme, e ku gjyqet e panumërta për shpifje ndaj politikanëve zgjasin me vite të tëra e pastaj kthehen në pesë me hiç kur shpifësit dënohen me ca gjoba simbolike, sot u ushtrua për herë të parë nga gjykatat e vendit e drejta e sanksionuar në ligj për dënimin penal të kategorisë më të neveritshme të Shpifjes, Kallzimit të Rremë.
Por vëmendjen kreut të qeverisë nuk ia tërhoqi vetëm vendimi i gjykatës por edhe reagimi i Gazment Bardhit, i cili publikisht ngriti pretendimin se dënimi kishte prapavijë politike për të dëmtuar opozitën, shkruan A2.
Rama: Por ndryshe nga ky i fundit, u the me të madhe shqiptarëve se e kishe kallëzuar në SPAK trafikantin e drogës që zbulove në familjen time, po në fakt, i gënjeve mu si një skuth. Edhe pse nuk do të të çoj dot në gjykatë për Kallzimin e Rremë, që s’ta mbajti b-ja e vogël e shtypit ta bësh se e di po aq mirë sa edhe unë që ke zbuluar Noc Rrokun, do ta ndaj me shqiptarët me fakte në dorë se çfarë ushtari i pacipë i Mbretërisë së Shpifarakëve je zotrote!
E përbashkëta mes Bardhit e Salianjit është denoncimi që ato kanë bërë. Ervin Salianji vëllain e Fatmir Xhafat dhe Gazment Bardhi vëllain e Edi Ramës për laboratorin e dogës në Xibrakë.
Bardhi: Fatmir Xhafaj e kreu detyrën me shumë “dinjitet”, aq sa për karrigen e pushtetit e dorëzoi në burg të vëllain me duart e tij, vetëm që të mos ballafaqohej me Ervin Salianjin në gjykatë! Taksirat e ke, si vëlla i mirë që je, dhe si zyrtar po me aq “dinjitet”, bëj edhe ti të njëjtën gjë! Por kujtohu, Fatmir Xhafajt nuk i mjaftoi për të qëndruar në pushtet dhe as ty nuk do të mjaftojë!
Debati në rrjetet sociale pritet të transferohet të hënën në sallën e parlamentit ku është parashikuar seanca plenare e radhës. (A2 Televizion)