"Po punojmë që Ilir Alimehmeti të hyjë në Kuvend", Këlliçi zbulon planin që po ndjek PD

Nga A2 CNN
25 Maj 2025, 22:11 | Politikë

Belind Këlliçi zbuloi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, se Partia Demokratike do të kërkojë hapjen e disa kutive në qarkun e Tiranës dhe rinumërim të votave të pavlefshme.

Ai tha se beson që nga votat e pavlefshme, PD mund të sigurojë mandatin e 14-të në Tiranë, që rrjedhimisht do t’i mundësonte mjekut të njohur, Ilir Alimehmeti që të hynte në Kuvendin e ri.

“Unë jam nga ata njerëz që kam qenë shumë vokal për këtë çështje. Duke qenë se kam qenë në fazën e numërimit për plot 6 net dhe 7 ditë në Tiranë, derisa u mbyll dhe vota e Diasporës. Sigurisht nuk më ka ardhur aspak mirë dhe e kam përjetuar edhe vetë humbjen e mandatit të 14-të të PD për një grusht votash. Pas një analize të plotë të rezultatit zgjedhor në Tiranë ne konstatojmë se janë 17.233 vota të pavlefshme në qarkun e Tiranës ku ne kemi dyshimet tona të arsyeshme se brenda atyre votave mund të jenë votat e mjaftueshme që zoti Alimehmeti të shkojë në Parlament. Sigurisht që një kandidat që ka marrë 18 mijë vota meriton pa diskutim të jetë pjesë e Parlamentit. Do të ndjekim edhe denoncimet tona të tjera, sepse kam denoncuar nga shkolla “Sami Frashëri” ku janë numëruar votat e Njësisë 9 ku kam denoncuar live fenomenin e trenit bullgar dhe numërimin e votave me ngjyrë të ndryshme nga fleta standarde e votimit. Kemi kërkuar ekspertizë për të gjitha këto fletë votimi. Do të kërkojmë hapjen e kutive në ato qendra që i kemi ankimuar që në KZAZ dhe i kemi ankimuar në KQZ për të parë këto vota dhe do të bëjmë gjithçka që zoti Alimehmeti të shkojë në Kuvend sepse e meriton të jetë në Kuvend”, tha Këlliçi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.

I pyetur nëse i kanë dhënë aleatëve më shumë mandate të sigurta sesa votat që kanë pasur në kuti, Këlliçi tha se për këtë do të realizohet një analizë e brendshme në selinë blu. Ai u shpreh se personalisht do të kishte preferuar më shumë kandidatë që përfaqësonin siglën e PD në lista për zgjedhjet e 11 majit.

“Unë personalisht kam kërkuar që kandidatët e PD të kishin numrin maksimal të përfaqësimit. Përherë kam qenë më shumë pro kandidatëve të siglës së PD, por edhe kjo është një çështje që i takon forumeve të PD për të bërë analizën, a kanë vepruar mirë apo keq. Ka pasur forca aleate që kanë performuar shumë mirë elektoralisht dhe ka pasur forca të tjera politike që nuk kanë performuar nën nivelin e pritshmërive, zoti Duka, PAA ka marrë rreth 22 mijë e 400 vota me kandidatët e tyre në total dhe kanë marrë vetëm një mandat përfaqësimi në qarkun e Durrësit. Dhënia e nja mandati justifikon plotësisht votat që ata kanë marrë”, u shpreh Këlliçi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos