Drejtuesi politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi zbuloi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, strategjinë që demokratët dhe kreu i tyre Sali Berisha do të ndjekin, për të zhbërë, siç ata pretendojnë rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.
Sipas Këlliçit do të kemi një skemë të ngjashme me atë të pas zgjedhjeve të vitit 2001, të cilat transformuan klimën politike në Shqipëri dhe PD sipas tij i faktoi se ishin plotësisht të vjedhura nga pushteti i kohës.
“Edhe më përpara, ën vitin 2001 do të shihni që pas një turi të ngjashëm pak a shumë të PD u arrit në qëndrimin e Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës se zgjedhjet e 2001 atëherë nuk reflektonin vullnetin e popullit shqiptar. Në atë periudhë u arrit në mënyrë të ngjashme të faktohej që kishte patur një deformim të zgjedhjeve dhe vjedhje në shkallë aq të gjerë sa u deformua vullneti i qytetarëve. Kjo pastaj çoi në një krejt tjetër klimë politike, zgjedhje me konsensus të Presidentit në 2002 dhe ardhjen në pushtet të PD në vitin 2005. Ngjashëm me këtë cikël, por ndryshe nga atëherë kësaj radhe ne kemi 4 rezoluta që i kanë rrëzuar zgjedhjet para se të bëheshin, të miratuara në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar nga PPE dhe IDC/CDI që është organizata më e madhe centriste dhe e partive të djathta në botë. Të katër këto rezoluta i damkosin zgjedhjet. Thonë se s’ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Këlliçi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
Më tej, deputeti i sapozgjedhur demokrat u shpreh me bindje se do të ketë zhvillime të rëndësishme deri në muajin shtator, kur edhe konstituohet Kuvendi i ri.
“Deri në shtator jam i bindur që do të ketë shumë ngjarje që do të ndodhin. E them me bindje. Do të kemi një cikël shumë të gjatë të denoncimeve nga PD për farsën elektorale të mbajtur nga shteti elektoral i Edi Ramës më 11 maj. Dhe deri në shtator do të kemi vendimmarrje të forumeve më të larta të PD në raport edhe me qasjen që do të duhet të kemi me Kuvendin dhe ato 50 mandate që PD i ka marrë me gjak në këto zgjedhje”, tha Këlliçi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN. (A2 Televizion)