Premtimet për pensionistët, Berisha: Ulje të faturave, rimbursim ilaçesh e kontroll mjekësor falas

Nga Anesti Barjamemaj
4 Prill 2025, 15:31 | Politikë

Të premten Sali Berisha ua dedikoi pensionistëve. Në një prej sallave të hoteleve në Tiranë zhvilloi një takim me përfaqësues të kësaj shtrese, ku tregoi programin e Partisë Demokratike për ta.

“Ne vendosim kartën e konsumatorit, të cilën do e ketë çdo pensionist dhe çdo rrogë e ulët dhe do marrë kthim të TVSH-së rreth 450 euro në vit. Do të zgjerojmë listën e rimbursimit të ilaçeve. Ne do ulim çmimin e energjisë elektrike nga 9.5 që u bë tani, ne do ta ulim në 7. Do përgjysmojmë tarifën e ujit për pensionistët dhe rrogëulëtit”.

Lideri demokrat nuk u ndal vetëm te këto premtime, teksa për pensionistët foli më pas edhe nga selia blu në një konferencë për mediat, ku tregoi dhe masa të tjera lehtësuese për këtë shtresë.

“Pensionistët kërkojnë jo udhëtim falas, por me gjysmë çmimi, dhe unë u premtoj atyre udhëtim me gjysmë çmimi në të gjithë Shqipërinë. Pensionistët do kenë të drejtë të analizave bazë, falas çdo 6 muaj”.

A2CNN e pyeti kryedemokratin mbi faturën financiare të programit të tij elektoral, ku flet jo vetëm për ulje taksash por rritje të mbështetjes financiare në shumë sektorë. Pa dhënë shifra konkrete, Berisha garantoi se gjithçka është e përballueshme.

“Këto para, para së gjithash do të dalin nga vjedhjet e mëdha që bëhen. Burimi i dytë i madh ku do të merren këto para dhe është shumë e drejtë, është se ne e kemi faktuar se ulja e taksave shton të ardhurat. Por burimi më kryesor i të ardhurave për përmbushjen e premtimeve janë realizimi i punëve publike me çmimet ndërkombëtare.”

Sipas liderit demokrat burim tjetër për të ardhurat do të jetë dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos