Kryetari i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra, ka reaguar ashpër ndaj mungesës së reagimit publik pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar se qytetarët janë bërë “spektatorë të një situate që prek drejtpërdrejt jetën e tyre”.
I ftuar në emisionin Off the Record të Andrea Dangllit, Shkodra u shpreh se “kemi një atrofizim total të qytetarëve, të cilët nuk ndiejnë asnjë shqetësim që Tirana prej ditësh është pa kryetar të zgjedhur.”
Ai tha se Bashkia është institucioni më i ndjeshëm për qytetarët, pasi “është e lidhur me ajrin që thithin, me ujin që pinë dhe me çerdhet ku çojnë fëmijët”. Megjithatë, ai nënvizoi se mungesa e reagimit publik tregon një gjendje apatie të rrezikshme, shkruan A2 CNN.
“Ne nuk mund të jemi spektatorë të një situate kaq madhore. Nëse duam të hyjmë në Bashkimin Europian, duhet të kemi qytetarë aktivë dhe të ndërgjegjshëm, sepse në BE nuk shkohet kështu”. (A2 Televizion)
