Mbretëria e Bashkuar do të presë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe liderë të tjerë evropianë në vjeshtë të këtij viti, duke u bërë kështu mikpritësja e Samitit të Procesit të Berlinit, shkruan A2 CNN.
Një nga fokuset kryesore të samitit do të jetë si të bashkëpunohet për të parandaluar që rajoni të përdoret si një rrugë transiti për emigracionin e parregullt.
I njohur zyrtarisht si Procesi i Berlinit, ky samit do të forcojë bashkëpunimin me partnerët evropianë për të ndihmuar në realizimin e strategjisë së Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të forcuar kufijtë, për të shkatërruar rrjetet kriminale dhe për të kthyer personat që nuk kanë të drejtë qëndrimi në vendet e tyre të origjinës, thuhet në njoftimin e qeverisë britanike.
Një nga diplomatet më me përvojë të Mbretërisë së Bashkuar, Dame Karen Pierce DCMG, është emëruar si e Dërguara Speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, me detyrën e avancimit të objektivave strategjike të Britanisë në rajon, duke përfshirë përgatitjet për samitin.
Ky samit po mbahet në një kohë kur Mbretëria e Bashkuar po zhvillon një regjim sanksionesh të pashembullt për të goditur trafikantët e qenieve njerëzore që veprojnë qysh në fazat fillestare të migracionit të parregullt.
Sekretari i Jashtëm, David Lammy, deklaroi: “Ballkani Perëndimor ka një rëndësi të madhe për Mbretërinë e Bashkuar, dhe partneritetet tona në rajon janë thelbësore për përballjen me migracionin e parregullt dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Mikpritja e Procesit të Berlinit në Britani tregon angazhimin tonë ndaj sigurisë evropiane dhe përmbushjes së Planit për Ndryshim të Qeverisë”.
Ministrja për Sigurinë Kufitare dhe Azilin, Angela Eagle, shtoi: “Bashkëpunimi është çelësi për të ndaluar migrimin e rrezikshëm. Prandaj, përmes Komandës së Sigurisë Kufitare, ne po rindërtojmë marrëdhënie të fuqishme në Evropë dhe më gjerë për të adresuar sfidat e përbashkëta të migracionit dhe për të siguruar kufijtë tanë”.
Qeveria britanike tashmë ka nënshkruar marrëveshje të reja për rritjen e bashkëpunimit operacional kundër krimit të organizuar të imigracionit me vende si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova. Ky bashkëpunim ndërkombëtar, së bashku me një qasje më të ashpër në zbatimin e ligjeve të imigracionit brenda Britanisë, do të ndihmojë në shkatërrimin e modelit të biznesit të trafikantëve në çdo nivel.
Mikpritja e samitit nga Mbretëria e Bashkuar, në bashkëpunim me Gjermaninë, nënvizon përkushtimin e qeverisë britanike për të rivendosur dhe forcuar marrëdhëniet e saj me Evropën, duke krijuar partneritete të qëndrueshme për të luftuar grupet kriminale që mundësojnë migracionin e parregullt.
Kjo njoftim vjen pas takimit mes Kryeministrit britanik dhe Kancelarit gjerman Olaf Scholz, ku u diskutuan mënyrat për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në çështjet e sigurisë dhe migracionit. (A2 Televizion)