Produktet e duhanit, Braçe dhe Gjonaj kërkojnë ndryshim të ligjit. Më pak akses e më shumë gjoba

Nga Anesti Barjamemaj
10 Prill 2024, 13:24 | Politikë

Për të blerë apo shitur duhan dhe cigare, qofshin ato elektronike, apo shisha e nargjile, mund të mos jetë më kaq e lehtë. Një projektligj i propozuar nga deputetët Erion Braçe dhe Etilda Gjonaj, synon të disiplinojë tregtinë e këtyre produkteve.

Dy socialistët kërkojnë disa ndryshime në ligjin aktual, duke ndaluar reklamimin apo sponsorizimin në çdo formë për produktet e duhanit, për të vështirësuar sa më shumë aksesin tek to të personave nën 18 vjeç: “Ndalohet shitja ose furnizimi, për qëllime tregtimi, i produkteve të duhanit, i cigareve, cigareve elektronike, shishave/nargjileve personave nën moshën 18 vjeç. Ndalohet ofrimi falas ose shitja e tyre me ofertë, i produkteve të duhanit, cigareve, cigareve elektronike, shishave/nargjileve, personave nën moshën 18 vjeç. Të gjitha pikat e shitjes duhet të pajisen me tabelë të dukshme dhe të lexueshme, ku të shkruhet: "Ndalohet shitja e produkteve të duhanit, cigareve elektronike, shishave/nargjileve personave nën 18 vjeç".

Deri më tani, shitblerja e produkteve të duhanit mund të bëhet me lehtësi, ku nga cigaret e deri tek shishat i gjen në çdo market apo kioskë. Por, projektligji kërkon ta disiplinojë edhe këtë aspekt, duke mos lejuar shitblerjen në ambiente të caktuara: “Ndalohet shitja e produkteve të duhanit, cigareve elektronike, shishave/nargjileve: a) në institucionet shëndetësore; b) në institucionet arsimore; c) në institucionet sportive; 9) në makinat shitëse automatike; d) me anë të vetëshërbimit; dh) në rrugë nga shitësit ambulantë; e) nëpërmjet shërbimit postar”.

Braçe dhe Gjonaj kërkojnë ndërhyrje edhe në Kodin Penal për të ashpërsuar ndëshkimin e shkelësve të ligjit. Duke filluar nga gjoba e deri tek burgu për shitësit e produkteve të duhanit te personat e mitur: “Kur si pasojë e kryerjes së veprës penale të parashikuar në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ka ardhur si pasojë dëmtimi i rëndë i shëndetit te të miturit, dënimi është nga 4 deri në 8 vjet burgim. Kur si pasojë e kryerjes së veprës penale të parashikuar në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ka ardhur si pasojë vdekja e të miturit, dënimi është nga 8 deri në 16 vjet burgim”.

Në relacionin shoqërues, dy socialistët sqarojnë se ndryshimet ligjore që kërkohen prej tyre përafrojnë legjislacionin tonë me Bashkimin Evropian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos