Programi për rininë dhe sportin, mbështetje për punësim dhe lehtësira për strehim

Nga Anesti Barjamemaj
2 Prill 2025, 19:33 | Politikë

Kredi të buta për të rinjtë dhe zgjatje të orarit të mësimit në shkolla, si dhe dhënie fund e mësimit me dy turne. Me këto premtime, Partia Demokratike kërkon votat e të rinjve në 11 maj për të qeverisur në 4 vitet e ardhshme. 

Ndryshe nga herët e tjera, ku programin e kanë prezantuar në salla të ndryshme të hoteleve, të rinjtë e PD këtë herë kishin zgjedhur amfitetarin e Universitetit të Arteve për të prezantuar planin që e konsiderojnë si shpëtim për kombin, për të ndalur eksodin. 

Lideri i opozitës kishte zgjedhur këtë herë që të mos ishte ai folësi kryesor dhe të shpaloste premtimet, por vetëm kërkoi punë prej të gjithëve për të marrë rezulat fitues në 11 Maj: “Të gjithë ju, jeni para një vendimi epik do të thosha, para një vendimi në të cilin ju përmbushni pa mëdyshje misionin më të madh të jetës suaj, përcillni në kalendat e historisë një diktaturë të dytë”.

Dy prej kandidatëve për deputetë të PD, Grigels Muçollari dhe Basart Xhaferri shpalosën programin për të rinjtë, ku premtuan mbështetje për punësim dhe lehtësia për strehimin e çifteve të reja.

“Ata të cilët do të punojnë të rinj dhe kur të rinjtë janë nën 30 vjeç shteti do të marrë përsipër pagesën e kontributit për sigurimet shoqërore që vjen nga punëmarrësi, pra i riu. Duke i krijuar mundësi bizneseve për të pasuruar stafe me të rinj, si e vetmja formë për të ngritur profesionistë për një treg që do të hapet së shpejti, për një treg që do të jetë konkurrues në BE”, tha Muçollari.

Ndërsa Besart Xhaferri, kreu i FRPD, deklaroi: “Është një ligj që e kam shumë përzemër, që quhet një çati për çdo çift. Qeveria Berisha tre do ia financojë minimumi 20% depozitë për të blerë këtë shtëpi”.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos