Progres-raporti i Brukselit, mohimi i të drejtave të opozitës, Balluku dhe Soreca ndahen në qëndrime

Nga Anesti Barjamemaj
9 Nëntor 2023, 13:46 | Politikë



Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, prezantuan, këtë të enjte, gjetjet e progres-raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Shqetësimit të Brukselit për mohimin e të drejtave të opozitës, që ka sjellë dhe një klimë të tensionuar në Kuvend, Balluku dhe Soreca i bënë një lexim të ndryshëm.

“Është një çështje që ka marrë përgjigjen në Parlament. Çdo rast do të përdoret, çdo momentum i mirë për Shqipërinë për të kujtuar gjithmonë kërkesa që bëhen për të mbuluar problematikat e opozitës, bëhen për të mbuluar problematikat e udhëheqësve të opozitës.”

BELINDA BALLUKU – ZËVENDËSKRYEMINISTRE

“Ne shpresojmë shumë që parlamenti të mund të kthehet shpejt në funksionimin normal dhe ne shpresojmë që të gjitha partitë të punojnë për këtë gjë. Nëse keni lexuar raportin tonë, raporti i identifikon këto si rruga për të ecur përpara”.

LUIGI SORECA – AMBASADOR I BE NË SHQIPËRI

Gazetarët i pyetën edhe për marrëveshjen e nënshkruar nga kryeministrat Rama dhe Meloni për ngritjen e kampeve të emigrantëve në Shqipëri. Balluku deklaroi se teksti nuk është përfundimtar dhe do të ndjekë rrugën parlamentare, ndërsa për Sorecën firmat për momentin kanë vlerë politike dhe jo ligjore.

“Kryeministri e ka bërë të qartë arsyen e kësaj marrëveshje dhe ne besojmë se askush nuk duhet të shqetësohet, as për arsyen e vërtetë se Kryeministri e ka thënë dhe as për kornizën juridike, pasi respekton të drejtën ndërkombëtare dhe i ka të detajuara detyrimet e palëve. Si do të funksionojë prona, kush do ta administrojë dhe sa do të zgjasë”.

BELINDA BALLUKU – ZËVENDËSKRYEMINISTRE

“Për momentin është e parakohshme të japim një vlerësim për dokumente që kanë më shumë vlerë politike dhe jo ligjore. Në çdo rast, BE-ja dhe vendet anëtare mund të bashkëpunojnë me vendet e tjera duke respektuar legjislacionin e BE-së.”

LUIGI SORECA – AMBASADOR I BE NË SHQIPËRI

Sa i përket gjetjeve të Komisionit Evropian për punën e drejtësisë, ambasadori dhe zëvendëskryeministrja ndanë mendim të njëjtë se SPAK është duke goditur krimin dhe korrupsionin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos