Në ditën e hapjes së tunelit të Murrizit, Sali Berisha tregoi kritikat e tij për projektin. Në një konferencë për mediat zhvilluar nga selia blu në Tiranë, lideri demokrat uroi që projekti të ketë sukses, por pohoi se rekomandimet e kompanive ndërkombëtare nuk janë respektuar.
“Në vlerësimin tim tuneli është ndërtuar duke shkelur kondicionet dhe rekomandimet e kompanive më prestigjioze të fushës, ndër të cilat kompanitë daneze etj. Uroj edhe njëherë që të jetë i suksesshëm më së fundi. Por zona është realisht problematike”, tha Berisha.
Berisha tregoi dhe projektet në infrastrukturë të Partisë Demokratike nëse pas 11 majit vjen pushtet. “Përparësi absolute do jetë zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës. Dy, autostrada Milot-Shkodër, e cila pas Rrugës së Kombit, ka trafikun më të madh në Shqipëri përveç trafikut Tiranë-Durrës. Bajpasi i Elbasanit, vepër që do fillojë menjëherë, për të cilën ne kemi gati projektin”.
Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore, pohoi Berisha, nuk do të ndalet vetëm në këto projekte, por investime do të ketë edhe në rrjetin hekurudhor.
“Hekurudha Tiranë-Prishtinë është projekti më madhor pas Rrugës së Kombit. Unaza e Shqipërisë do të jetë projekt tjetër madhor infrastrukturor. Unaza me fjalë të tjera urbanizon të gjithë periferinë e Shqipërisë. Ajo bën të mundur që çdo qendër komune në ndarjen e vjetër, të lidhet me akset kombëtare në kohë 20 minuta”.
Një thirrje pati për të gjithë qytetarët që të bashkohen në protestën e kësaj të shtunë kundër mbylljes së TikTok.
“Protesta është tek kryeministria, para ndërtesës së tiranit, të habitullahut të Tiranës”. (A2 Televizion)