Prokurorët kundër Ramës: Ndryshimet e kodit të procedurës me rrezik, cenojnë hetimet

Nga A2 CNN
1 Tetor 2026, 13:43 | Politikë

Ndryshimet e gati një të pestës së Kodit të Procedurës Penale kanë gjetur kundërshtimin e prokurorëve. “Drejtësia penale kërkon garanci të forta për të drejtat e njeriut dhe hetime efektive në mbrojtje të viktimave të veprës penale dhe interesit publik. Ruajtja e këtij ekuilibri duhet të jetë në themel të çdo ndërhyrjeje në Kodin e Procedurës Penale”, citohet në nisje të reagimit.

Madje, propozimet i shohin si shqetësim, pasi rrezikojnë hetimin, fragmentojnë kompetencat hetimore, kufizojnë mjetet e kërkimit të provës dhe dobësojnë efektivitetin e ndjekjes penale.

Sipas Shoqatës së Prokurorëve, prokurori ka përgjegjësinë të zhvillojë hetime të plota, duke mbledhur prova si për fajësinë, ashtu edhe për pafajësinë e personit. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie kërkon mjete efektive hetimore, të shoqëruara me kontroll gjyqësor dhe garanci për të drejtat e çdo individi.

Ndryshimet që prekin themelet e procedimit penal kërkojnë analiza të thelluara të praktikës dhe vlerësim të plotë të ndikimit të tyre. Më tej, theksohet se ndërthurja mekanike e zgjidhjeve nga modele të ndryshme procedurale, pa respektuar arkitekturën institucionale të sistemit shqiptar, rrezikon të krijojë paqartësi dhe një sistem atipik.

Çdo ndryshim duhet të avancojë standardet e Reformës në Drejtësi, duke ruajtur rolin drejtues të prokurorit në hetim dhe kontrollin gjyqësor si garanci plotësuese të ligjshmërisë dhe të të drejtave.

Zbulimi i të gjitha provave që në fazat e hershme të procedimit, kufizimi i masave të sigurimit personal dhe pengesat për zgjerimin e hetimit drejt fakteve të reja të lidhura rrezikojnë ruajtjen e provave, sekretin hetimor dhe efektivitetin e hetimeve, veçanërisht për çështjet që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Shoqata e Prokurorëve thekson se pavlefshmëria e akteve dhe papërdorshmëria e provave duhet të lidhen me rëndësinë e shkeljes, pa u kthyer në pasoja automatike që rrezikojnë të gjithë çështjen penale.

Reagimi erdhi një ditë pasi kryeministri propozoi heqjen e masës së sigurisë “arrest me burg” për veprat që dënohen deri në 5 vite, por edhe rishikimin e mënyrave të përgjimit dhe provave që gjenden në celularë e kompjuterë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos