Raporti për klimën e investimeve, DASH: Shqetësim korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave

Nga Indrit Maraku
30 Shtator 2026, 23:20 | Politikë

Shqipëria ka arritur të tërheqë nivele rekord investimesh të huaja gjatë viteve të fundit, vëren raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve në Shqipëri gjatë vitit 2026.

Por, disa nga problemet kryesore të ekonomisë shqiptare vazhdojnë të konsiderohen shqetësuese nga sipërmarrësit: “Ekonomia mbetet e cenueshme ndaj korrupsionit të përhapur, krimit të organizuar, pastrimit të parave, konkurrencës së shtrembëruar, mungesës së fuqisë punëtore si pasojë e emigracionit, produktivitetit të ulët dhe një sektori të gjerë informal”. 

Vlerësimet gjithsesi nuk mungojnë. Shqipëria konsiderohet se ka një potencial të gjerë ekonomik dhe një kuadër ligjor solid, si dhe ka shënuar përparim në kufizimin e korrupsionit të vogël përmes digjitalizimit të shërbimeve publike, shkruan A2.

Megjithatë, vëren raporti i DASH, investitorët e huaj vazhdojnë ta perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes: “Kontratat e partneritetit publik-privat zvogëlojnë mundësitë konkurruese dhe vuajnë nga analiza dhe ekspertiza teknike e dobët. Emigrimi i fuqisë punëtore të re dhe të kualifikuar ka krijuar mungesa të fuqisë punëtore që ndikojnë në perspektivat e investimeve. Të drejtat e pronës mbeten problematike për shkak të mbivendosjes së titujve, manipulimit të gjykatave, korrupsionit dhe kompensimit të pamjaftueshëm për konfiskimet e epokës komuniste. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme që kërkojnë arbitrazh ndërkombëtar”.

Teksa komuniteti i biznesit vlerëson përpjekjet kundër korrupsionit, pozicionet vakante në gjyqësor kanë krijuar ngarkesa të prapambetura në gjykata, veçanërisht në atë të Apelit, duke ngadalësuar gjykimin e çështjeve, nënvizon Departamenti Amerikan i Shtetit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos