Shefja e Komisionit Europian mbërriti në Tiranë në një moment të trazuar për politikën, pas hetimeve të SPAK për ish-drejtuesen e SHISH, që akuzohet për bashkëpunim me krimin.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Kryeministri Edi Rama i parapriu pyetjeve mbi aktualitetin, duke trajtuar problemin e korrupsionit në terma të përbashkëta.
E pyetur konkretisht mbi hetimet ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit, Ursula von der Leyen u shfaq e linjëzuar me kryeministrin: “Sistemi po funksionon”.
Shefja e Komisionit Europian nuk kurseu vlerësimet për Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit. Një datë nuk dha, por tha se finishi është i qartë.
Rama tha se kishte njoftuar Presidenten e KE-së për ecurinë e projektit të investimit në Zvërnec, me studimin e thelluar mjedisor që pritet së shpejti.
Jashtë në bulevard, një grup protestuesish tentuan t’i afrohen godinës së Kryeministrisë, por u mbajtën me dhjetëra metra larg nga forcat e rendit. (A2 Televizion)