3 ditë para zgjedhjeve në Himarë, PD ka përgënjeshtuar deklaratat e kryeministrit Rama 2 muaj më parë që ai nuk ka kërkuar pronat familjare në këtë zonë.
Sipas selisë blu, shefi i qeverisë shqiptare me ndryshime ligjore dhe VKM specifike ka bërë të mundur që prona e të afërmve të tij në Himarë t’i regjistrohej pranë ATP.
“Kështu, Edi Rama, kur shpërndante tapitë e pronave që u takojnë himariotëve në bazë të ligjit, bënte një akt propagandistik të dyfishtë: merrte merita se po u jepte himarjotëve çka ishte e tyrja dhe gënjente se familja e tij nuk përfitonte nga ky kthim pronash.
Nuk kemi të bëjmë me një arë, por me 22.4 hektarë ose 224 mijë metra, ku ai dhe i vëllai Olsi marrin një pjesë jo të vogël. Një pasuri e tillë në atë zonë, e painvestuar përllogaritet me një vlerë 30 milionë euro. Kur Rama me “investitorët strategjikë” të tij ta kthejë në resort, bëhet fjalë për mbi 150 milion euro fitime.
Pyetja është si arriti Edi Rama deri këtu?
Në vitin 2017, Edi Rama dhe trashëgimtarët të tjerë të fisit Koleka, kanë çuar të regjistrojnë pronën e tyre në Agjencinë e Trajtimit të Pronave-ATP.
ATP e ka refuzuar regjistrimin, në një vendim ende të pazbardhur, por me siguri sepse ka gjetur mangësi në dokumentacion.
I gjendur përballë refuzimit të agjencisë, Rama ka ndryshuar ligjin, sipas të cilit me anë të një vendimi, Gjykata e Apelit e detyron ATP ta regjistrojë direkt pronën. Kini parasysh se ligji i mëparshëm parashikonte që vendimi i Gjykatës së Apelit e detyron ATP ta rishqyrtojë, jo ta regjistrojë direkt pronën”, tha Kaso. (A2 Televizion)