Themeluesi i “Djathtas 1912” Enkelejd Alibeaj tha se protesta e qytetarëve në bulevard do të prezantohet si alternativë politike në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato të mbahen.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Alibeaj vuri në dukje se kësaj gjëje i frikësohet edhe kryeministri Edi Rama. Sipas Alibeajt, së fundmi kemi të bëjmë me një lëvizje sociale, heterogjene, që nuk është e ngjashme me alternativat e mëhershme politike.
“Ka një element të ri, një të panjohur në ekuacion, potenciali i madh i lëvizjes së bulevardit, dhe cila do të jetë e ardhmja e saj. A do të shfaqet ajo me kalimin e kohës si element elektoral apo jo. Siç unë kuptoj, dhe siç mund ta lexoj Ramën, frika e madhe e tij është që prej kësaj lëvizje, prej këtij fenomeni, në zgjedhjet, të parakohshme apo jo, vendore apo qendrore, do të ketë një kuti të tretë ku shqiptarët do të votojnë. Ka një ndryshim të madh, ato që ka qenë kutiza të mëparshme s’kanë ardhur si derivat i një lëvizje të tillë sociale, e cila ka një karakteristikë e cila është te përbërja, heterogjenitetin e përbërjes”, tha Alibeaj.
“Do të prezantohet në zgjedhjet që do vijnë të pushtetit vendor me një alternativë elektorale. Mund të jetë një parti, një grupim partish, mund të jetë një front, mund të jenë kandidatë, 30 burra, 50 burra nga protesta, folës, njerëz të njohur e me radhë…”, vijoi ish-deputeti. (A2 Televizion)