Kjo e hënë do ta gjejë opozitën për herë të parë pas rreth një viti në protestë, me Sali Berishën që ka mobilizuar të vetët duke thirrur një tubim, që do të jetë vazhdim i mosbindjes civile në Parlament.
Protesta do të zhvillohet përpara Kryesisë së Kuvendit, aty ku Këshilli i Mandateve do të mblidhet në orën 12:00 për të marrë në shqyrtim kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit, që do të çonte në arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Berishës i ishte caktuar nga Prokuroria e Posaçme masa “detyrim paraqitje” për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, por ai nuk e respektoi atë disa herë radhazi, duke shtyrë organin e akuzës të ashpërsojë masën e sigurisë për ish-kryeministrin.
Ende është e paqartë nëse kreu i PD-së së Rithemelimit ka vendosur të paraqitet apo jo në mbledhjen e Këshillit të Mandateve për t’u përballur me socialistët dhe prokurorët e SPAK-ut. Gjasat janë që ai të përfaqësohet në mbledhje nga avokatët e tij.
Sakaq, policia e kryeqytetit është mobilizuar për të ruajtur rendin dhe sigurinë gjatë tubimit të demokratëve. Policia e Shtetit që në orën 09:00 të mëngjesit ka nisur përgatitjet për të garantuar sigurinë e protestuesve dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Në ambientet e brendshme të Kuvendit gjenden oficerët e Gardës së Republikës, ndërsa dhjetëra efektivë nga komisariatet e policisë në Tiranë do të jenë sot në gatishmëri jashtë godinës. Po ashtu është hartuar edhe një plan masash për mbarëvajtjen e protestës.
Në pamjet e siguruara nga A2CNN, shihen disa furgonë policie të stacionuar në pjesën e pasme të Piramidës, ndërsa ka filluar nga ana e simpatizantëve të PD-së së Rithemelimit puna për ngritjen e podiumit nga ku Berisha pritet të mbajë fjalën e tij.
(A2 Televizion)