Kushtin që bllokon ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor për votën e emigrantëve, Sali Berisha pranon ta tërheqë vetëm për njëri nga tre amendamentet e draftit që do të votohet më 13 shkurt.
Qëndrimi radikal u zbut nga Sali Berisha kur u pyet se përse demokratët ishin kundër idesë që emigrantëve t’u mbulohej 100% shpenzimi postar për fletën e votimit, duke përfshirë edhe kthimin e zarfit.
“Nuk është e vërtetë. Ky ka qenë kushti ynë. Këtë amendament e votojmë ne. Nuk votojmë tjetrin ne, lëvizjen e afateve. Këtë që nesër, se është propozimi ynë, që emigrantët të mos paguajnë asgjë.”
Dy amendamentet e tjera, që lidhen me afatet e regjistrimit në zgjedhje, dhe lejimin e partive politike për të numëruar votën e emigrantëve pranohen nga PD-së vetëm në rast se plotësohet kushti i tyre, që në 11 maj të votojnë edhe ata shqiptarë që nuk kanë dokumente identifikimi të vendit tonë.
“Ne po kërkojmë që sa më shumë shqiptarë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese. Ata kërkojnë që sa më pak shqiptarë që të ushtrojnë të drejtën kushtetuese. Dhe ne nuk ngremë dorën, jo. Kanë kohë deri në datë 13 të mendojnë si të duan.”
Nga konferenca për shtyp, Berisha ftoi edhe njëherë qytetarët që të marrin pjesë në protestën e thirrur prej tij pasditen e të shtunës, me qëllim për t’i prerë biletën e disfatës më 11 Maj, siç u shpreh ai, regjimit të Edi Ramës.
“Të blesh 5 mln euro vazon, instilacionin sikur të ishte pronë e Surrelit, do të thotë se nuk ke asgjë, asnjë ndjesi për vuajtjet, problematikën që kanë qytetarët e tij. Do të thotë që je i papranueshëm për ta. Kjo është e vërteta. Është në dorën e qytetarëve, por nëse qytetarët nesër thonë se, nuk e durojmë dot më, Sali Berisha i mbështet ata plotësisht”.
Sipas Berishës, kampi tjetër po shkon drejt shkërmoqjes pasi socialistët po e kuptojnë se nuk kanë parti dhe nuk i lidh asgjë me Edi Ramën. (A2 Televizion)