Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, zbuloi në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, si do të vijojë statrgjia e protestave të opozitës. “Pa dyshim që protesta e fundit ka qenë një nga protestat më të mëdha dhe, falë organizimit të Partisë Demokratike dhe strukturave të saj, protesta e radhës do të jetë akoma më e madhe. Të jeni të sigurt dhe do të ketë një qasje komplet ndryshe nga protesta e fundit. Pa dyshim që protestat do të kenë një kohëzgjatje tjetër dhe do të jenë të qëndrueshme”, tha ai.
“Ne jemi dakord dhe, padyshim, edhe sot ka pasur një protestë në mes të Mamurrasit dhe Laçit në lidhje me çështjet e përmbytjeve. Pa dyshim që protestat do të fillojnë të organizohen edhe në qytete të tjera dhe çdo formë proteste është e mirëpritur. Ne, ashtu siç edhe kryetari i Partisë Demokratike e ka deklaruar, mbështesim çdo lloj proteste që është kundër kësaj qeverie dhe kundër kësaj narkodiktature”.
Ai shtoi se strategjia e opozitës është në përpunim e sipër. “Protestat do të jenë me kohëzgjatje tjetër dhe me qëndrueshmëri edhe më të madhe. Pjesëmarrja, të jeni të sigurt, do të përfshijë edhe njerëz nga diaspora, të cilët do t’i bashkohen dhe janë të gatshëm të qëndrojnë për ditë të tëra në shesh”, tha Gjoni.
Ai shtoi se nuk përjashtohet as opsioni i grevës së urisë dhe çdo lloj ngujimi tjetër nga ana e deputetëve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike, përfshirë edhe vetë atë. “Është minimumi që u detyrohemi qytetarëve shqiptarë, edhe si përfaqësues i qarkut, por edhe si deputet i opozitës. Pa dyshim që duhet të jem në ballë të çdo proteste dhe çdo sakrifice në favor të qytetarëve, në mënyrë që kësaj qeverie t’i jepet fundi njëherë e përgjithmonë”, tha Gjoni. (A2 Televizion)