Klotilda Bushka, deputete e Partisë Socialiste, shprehu dakordësinë e saj lidhur me draft-raportin e paraqitur nga opozita lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Bushka tha se është dakord që në seancën e parë të Kuvendit të Shqipërisë Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancë “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.
Por, Bushka shtoi se nuk ka pse të ketë një raport, por të veprohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, siç raporton A2 CNN.
Gazment Bardhi i Partisë Demokratike, në një replikë me Bushkën, tha se çështja nuk është aq e thjeshtë saç mundohet ta paraqesë ligjvënësja socialiste. Bardhi theksoi se deputetët socialistë injoruan Kushtetutën dhe vendosën të mos zbatojnë vendimin e saj.
“Dhatë mesazhin më të gabuar, sepse vutë në diskutim zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ju dhatë mesazhin se nuk zbatoni vendime të drejtësisë nëse bien ndesh me interesat tuaja. Duhet të kishte një veprim nga drejtësia në këtë rast, pasi pengimi për të zbatuar një vendim gjyqësor është krim”, tha Bardhi.
“Nuk ka ndodhur asnjëherë kjo gjë, kemi një dispozitiv të Gjykatës Kushtetuese, pasi ju nuk pranoni të zbatoni vendimin. Për mbi dy vjet mbrojtët Olta Xhaçkën, shpërfillët vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, shtoi Bardhi.
(A2 Televizion)