Pas fjalimit të Ramës, Berisha ka një thirrje për diplomatët shqiptarë

Nga A2 CNN
26 Gusht 2024, 15:26 | Politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi fjalimin e kryeministrit Edi Rama para diplomatëve shqiptarë. “Konferenca mblidhet në një moment dështimesh të mëdha të politikës shqiptare. Në radhë të parë, ndjekur kjo edhe nga diplomacia për shkakun më themelor, sepse institucionet e narko-shtetit nuk mund të përmbushin detyrat e tyre kushtetuese. Edi Rama nuk foli një fjalë për marrëdhëniet e ngrira që ka krijuar ai në fqinjin jugor, kryekëput për interesa të tij mafioze të tij personale në trojet dhe brigjet e Bashkisë së Himarës. Nuk foli një fjalë për burgosjen e kryetarin e zgjedhur të bashkisë me rrëmbimin e mandatit në mënyrë që të garantojë se do të përvetësojë ato që nuk i takojnë. Edi Rama nuk foli një fjalë për ngrirjen pothuaj de facto të marrëdhënieve me Kosovën, pasi më haptas se sa Aleksandër Vuçiç, Edi Rama shpalli sanksionet ndaj Republikës së Kosovës. Sulmoi me egërsi kryeministrin e saj, loboi me paturpësi për mosakordimin e liberalizimit të vizave, akt flagrant armiqësor ndaj një vendi të lirë dhe të pavarur, aq më tepër ndaj një vendi që banohet në 90 për qind nga shqiptarët. Edi Rama ngriu marrëdhëniet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sepse u angazhua direkt në fushatë elektorale në mënyrën më të paskrupullt. Marrëdhënie pothuaj të ngrira janë dhe në Malin e Zi”, tha Berisha.

Sipas kreut të opozitës, Rama edhe këtë herë mashtroi lidhur me negociatat. “E vërteta është se dhjetorin që kaloi, ndonëse u shpall me të madhe në Tiranë nga miqtë e Edi Ramës, se në dhjetor do të hapej kapitulli i parë i negociatave, në dhjetor Këshilli Europian dhe Komisioni Europian i vendosën 5 kushte të reja. Shqipëria sot është vendi i burgosjeve politike, i persekutimit politik. Shqipëria sot është vendi i vetëm në Europë në të cilën 3 liderë të partive kryesore opozitare janë në arrest, ose në ndjekje penale. Pra, jo që s’ka progres, por në një rast unik po bën 4 vite që nga dita e vendimit për të hapur negociata, e vendimit në parim, por negociatat nuk janë hapur për kapitujt dhe kjo për shkak të qëndrimeve anti-demokratike, anti-kushtetuese të Edi Ramës”, shtoi Berisha.

Ai u bëri thirrje diplomatëve shqiptarë të qëndrojnë si përfaqësues të Shqipërisë, dhe jo të kreut të narko-shtetit, Edi Ramën. “Nuk mund të mos ritheksoj se kjo konferencë mblidhet në një kohë kur, pavarësisht nga lustrat, faktikisht Edi Rama është personi i vetëm që ka rekrutuar në korrupsion për ta nxitur kundër opozitës famëziun, Mc Gonigal, ish-shefin e kundërzbulimit të FBI për Nju Jorkun. Rekrutoi në korrupsion me Agaçin e tij, njeriun e besuar nga autoritetet italiane për të kontribuar në luftën kundër drogës në Shqipëri, gjeneral Lisin. Edi Rama figuron tashmë në dosjet e mëdha, së bashku me vëllain e tij të vjedhjeve dhe trafiqeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Edhe njëherë, duke dënuar zbatimin e parimeve të narko-shtetit në diplomacinë shqiptare iu bëj thirrje diplomatëve të qëndrojnë përfaqësues të vendit dhe të kombit të tyre, dhe jo të një klike, të një kasti, të një ekipi, i cili sundon në aleancën e krimit, vjedh zgjedh zgjedhjet, shndërron pasuritë publike të shqiptarëve në mallkim për qytetarët, sundon me drogën dhe krimin”/A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos