Për të qenë gati për t’u ulur në tryezën e liderëve të BE në Bruksel, Shqipëria përpos reformave të brendshme, nevojitet të ketë edhe një rifreskim të përfaqësimit të saj diplomatik në sytë e Europës dhe jo vetëm. Mbi këtë mesazh, kryeministri Rama u dha leksion ambasadorëve shqiptarë në Pallatin e Kongreseve se si duhet të prezantojnë Shqipërisë përballë botës.
“Së pari, është krijimi i një vetëdije të re në përfaqësimin dhe në mbrojtjen e interesave tona kombëtare. të ruhemi dhe nga kompleksi i inferioritetit. ne duhet të flasim me qartësi dhe me respekt me aleatet dhe me miqtë tanë, por të pretendojmë të njëjtën qartësi dhe të njëjtën respekt nga aleatët dhe nga miqtë tanë. E dimë shumë mirë që të gjithë 2030 duhet të na gjejë në gatishmëri të plotë për t’u ulur në tryezën e BE si anëtar të barabartë të familjes europiane. Kjo është ana jonë, kjo është detyra jonë”, tha Rama.
I vetmi që mori një lavdërim publik ishte ish-ambasadori në OKB që tanimë përfaqëson Shqipërinë në Bruksel, por tre diplomatë të tjerë të cilët u përmendën nga Rama duhet të rrisin nivelin e tyre të performacës.
“Leximi i së ardhmes me sytë e së shkuarës është një lexim që ne nuk na takon, nuk është leximi ynë. Leximi ynë është leximi i së shkuarës me sytë e të ardhmes. Dhe kjo është qasja dhe kjo është pika kyçe mbi të cilën ne ngremë të gjitha marrëdhëniet dhe ndërveprimet me rajonin, natyrisht pastaj përmenda pak më përpara, duhet të bëjmë më shumë me Italinë, duhet të bëjmë më shumë me Turqinë, duhet të bëjmë më shumë me Greqinë, tha Rama, raporton A2 CNN.
Para zgjedhjeve qeveria shqiptare duket se ka kthyer vëmendjen tek shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë, jo vetëm duke mundësuar votën e emigrantëve, por duke hapur një shteg nëpërmjet ligjit të ri për shërbimin e jashtëm që një ditë ata të bëhen pjesë e trupit diplomatik të Shqipërisë.
“Kemi shumë shqiptarë që janë të angazhuar në botën e marrëdhënieve ndërkombëtare nga rrugë të ndryshme të jetës, qoftë nga rruga e angazhimit të drejtpërdrejtë në një organizatë, qoftë nga rruga akademike dhe është e padrejtë që ata të jenë të përjashtuar nga mundësia për të shërbyer në trupën tonë të jashtëm”, tha Rama.
Të pranishmëve u tregoi se detyrat e veta si Kryeministër i kishte bërë, duke sjellë liderët e Komunitetit Politik Europian vitin e ardhshëm në Tiranë, me shpresën që edhe NATO do t’i besojë organizimin samitit në 2027.
“Jemi vendi që do të mirëpresë liderët e 44 shteteve evropiane nga Britania e Madhe deri në Ukrainë apo nga Suedia dhe Norvegjia deri në Turqi vitin e ardhshëm në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, të përfaqësohemi me volumin maksimal të ambicies, por edhe të aftësisë për të qenë të respektueshëm, gjë që na jep mundësinë të jemi mikpritës të Samitit të NATO-s në vitin 2027”.
Ndërsa kryeministri Rama u mor me diplomacinë shqiptare, ministri jashtëm Igli Hasani foli vetëm për ndryshimet e ligjit të shërbimit të jashtëm, nga krijimi i Akademisë, zgjatja e mandatit të detyrës së ambasadorit në 4 vite, me të drejtë rizgjedhjeje për një mandat të dytë./A2 CNN (A2 Televizion)