Pas dështimit të grupit të dialogut, Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend projektligjin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Drafti i propozuar amendon vetëm tre vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Socialistët kanë propozuar që vota e diasporës të bëhet me postë duke ndarë shpenzimet ndërmjet KQZ-së dhe votuesit. Sipas propozimit, KQZ do të paguaj dërgimin e fletës ndërsa tarifën e kthimit do ta paguaj votuese.
Atributet për mënyrën e regjistrimit e emigrantëve për të marrë pjesë në zgjedhje pa pasur nevojë të vijnë fizikisht Shqipëri, PS ia ka lënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të caktuar modalitetet.
Vota e diasporës do të përllogaritet në qarkun ku emigrantët kanë adresën e banimit në Shqipëri.
Sa i përket hapjes së listave të kandidatëve për deputet, Partia Socialiste propozon që të vendoset sërish një prag brenda listës. Sipas këtij propozimi, renditja e kandidatëve fitues do të bëhet në bazë të votave parapëlqyese duke e ndarë listën në dy zona, atë fituese dhe atë humbëse. Që një kandidat të kalojë nga pjesa humbëse në atë fituese, duhet të thyej herësin i cili është numri i votave të partisë në një zonë zgjedhore, pjesëtuar me numrin e mandateve të përfituara në atë zonë, pjesëtuar sërish me 1.5. Pavarësisht rezultatit të këtij pjesëtimi, ky numër nuk mund të jetë më shumë se 7 mijë.
Propozimi i tretë i PS lidhet me pragun kombëtar për kandidatët e pavarur duke e hequr atë në bazë edhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas propozimit të tyre, në shpërndarjen e mandateve përjashtohen partitë apo koalicionet që kanë marrë më pak se 1% të votave në rang kombëtar.
Këto propozime do të futen në kalendarin e punimeve të Kuvendit, ku nevojitet gjetja e konsensusit për të arritur numrin 84 pasi socialistët nuk i kanë të vetëm. (A2 Televizion)