Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, u “ekzekutua” dje edhe politikisht, pasi u mor peng juridikisht para 14 muajsh.
Komisioneri i Zgjedhjeve është në shkelje flagrante të ligjit nr. 138/2015 dhe Vendimit të Kuvendit nr. 17/2016 ku përcaktohet se: verifikimi i kushteve të zgjedhshmërisë nga KQZ bëhet vetëm mbi bazën e të dhënave të vetdeklarimit të kandidatit në momentin e paraqitjes së kandidaturës.
Fredi Beleri duhej të betohej dhe të merrte mandatin, dhe më pas mund të shkarkohej nga Edi Rama, siç parashikon edhe Kushtetuta, neni 115 i saj, apo neni 62 i ligjit nr. 139/2015.
Vendimi i Komisionerit, përveçse i paprecedent dhe pa asnjë bazë ligjore, nuk është i ekzekutueshëm. Neni 133 i ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative” parashikon që efektet e aktit administrativ pezullohen deri në shqyrtimin e ankimit.
Thënë shkurt, kryetarit të zgjedhur të Himarës nuk i është dhënë as e drejta e apelimit të vendimit. Antikushtetues është edhe Dekreti i Presidentit. Sipas nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor Presidenti shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. Ky rast bën edhe autopsinë e kufomës së Republikës, duke filluar nga SPAK, gjykatat, KQZ, qeveria dhe Presidenti. (A2 Televizion)