Socialistët kanë depozituar në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke hequr dorë përfundimisht nga grupi i dialogut. Struktura e posaçme parlamentare nuk arriti të prodhonte një produkt, duke bërë që shumica të dalë me propozimin e saj, që në thelb amendon vetëm ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Propozimi i parë ka të bëjë me votën e emigrantëve ku sipas socialistëve, ajo duhet të implementohet me postë dhe shpenzimet ndahen ndërmjet KQZ-së dhe votuesit. Vota duhet të përllogaritet në qarkun ku votuesi ka adresën në Shqipëri, ndërsa regjistrimi është një modalitet që i është lënë KQZ-së.
“Regjistrimi i zgjedhësve jashtë vendit realizohet nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës së zgjedhësve jashtë vendit fillon 100 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 50 ditë para kësaj date. Lista e zgjedhësve pas përfundimit të procesit nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në këtë pikë. Shtetasit shqiptarë që janë regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së regjistrimit sipas këtij neni, çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit.”
Votimi nga jashtë vendit quhet i çelur nga dita që KQZ nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit. Kthimi i fletës së votimit është me shpenzimet e zgjedhësit dhe ka afate të përcaktura.
“Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit brenda vendit dhe vetëm kur zarfet me fletët e votimit mbërrijnë në këtë orar në adresën e KQZ-së. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur pas këtij orari. [...] Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit.”
Çështja e dytë e trajtuar është herësi brenda listës së kandidatëve për deputet ku maxhoranca edhe këtë herë nuk do që ajo të jetë e hapur 100%, por ka pranuar të zbusë prangun që më parë ishte në rreth 10 mijë vota. Kësisoj, sipas këtij propozimi, lista e kandidatëve ndahet përsëri në pjesën fituese dhe atë humbëse, ku për të kaluar vijën e kuqe, një kandidati i kërkohet të mbledhë të paktën 7 mijë vota preferenciale.
“Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyes më të madh se herësi i ndarjes së mandateve. Herësi i ndarjes së mandateve është numri që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit zgjedhor me numrin e mandateve të fituara nga subjekti përkatës dhe pjesëtuar me 1.5. Në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7 000 vota.”
Amendamenti i tretë lidhet me pragun kombëtar prej 1% që në 2021 u aplikua edhe për kandidatët e pavarur, të cilin Gjykata Kushtetuese e rrëzoi. Për të miratuar këto amendamente kërkohen më së paku84 vota të cilat PS e vetme nuk i ka, ndaj gjetja e kompromisit në seancë plenare duket se imponohet sërish. Ndryshe nga struktura e dialogut, dakordësia nuk kufizohet më vetëm ndërmjet demokratëve dhe socialistëve, por edhe me formacione të tjera parlamentare. (A2 Televizion)